I moshuari qëlloi nga ballkoni me armë zjarri 3 të rinj në Shkodër. Kërcënoi dhe policët
Tre të rinj shpëtuan mrekullisht pak pas mesnatës së 9 janarit në lagjen “Rus” në Shkodër. Teksa ndodheshin në rrugë duke biseduar, një i moshuar, shtetasi Fasli Hyka, i armatosur, i qëlloi nga ballkoni i katit të pestë nga banesa e tij në orën 00:30. Plumbat fatmirësisht nuk plagosën asnjërin prej tre të rinjve ndërsa u dëmtua një automjet i parkuar. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie duke izoluar zonën për shkak të rrezikshmërisë. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë u futën nga ballkoni i shtëpisë së 83-vjeçarit pasi më parë i hodhën një zhurmuese dhe më pas edhe nga dera e shtëpisë duke arritur që ta neutralizojnë dhe arrestojnë.
I moshuari para se të qëllonte mësohet se ka telefonuar policinë duke i kërkuar ndihmë pasi sipas tij jashtë kishte zhurma që po e shqetësonin. Pas pak minutash mori çiften dhe qëlloi në drejtim të të rinjve, kalimtarë të rastit që arritën të shpëtojnë. Më përpara efektivët i bënë thirrje disa herë që të dorëzohet por 83-vjeçari Fasli Hyka nuk pranoi.
Në momentet kur policia i bënte thirrje për t’u dorëzuar, i moshuari mbushte çiften e tij si një shenjë rezistence. Në këto kushte u desh ardhja e forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të cilët edhe ata nisën një negocim, por sërish 83-vjeçari nuk pranoi të dorëzohej. Pas pak minutash mbërriti edhe djali i autorit të dyshuar shtetasi Fatmir Hyka, por refuzoi edhe të birin me të cilin nuk kishte një komunikim të mirë 3-4 vitet e fundit. Në këto kushte forcat e FNSH hodhën zhurmuesen dhe në pak sekonda arrestuan shtetasin Fasli Hyka duke e finalizuar me sukses këtë operacion i cili zgjati për afro 3 orë e gjysmë. 83-vjeçarit pas arrestimit iu gjet çiftja me të cilën qëlloi në drejtim të tre të rinjve si dhe një armë tjetër automatik kallashnikov që e mbante në shtëpi të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Mësohet se çiften deri në vitin 2012 e kishte me leje ndërsa prej asaj kohe e mbante pa leje në banesë.
Ndërkohë mësohet se shtetasi Fasli Hyka vuan nga problemet e shëndetit mendor ndërsa ka edhe disa sëmundje të tjera si dhe ka humbur shikimin tek njëri sy. Komshinjtë dhe tregtarët në Rus e njohin 83-vjeçarin si një person problematik, i cili edhe herë të tjera i ka kërcënuar. Në momentin kur Fasli Hykaj qëlloi në banesë gjendej edhe bashkëshortja e tij e moshuar e cila në momentin kur ndodhi ngjarja ndodhej e shtrirë në shtrat pasi edhe ajo është e sëmurë. Tre të rinjtë u shoqëruan në polici për të dhënë një dëshmi ndërsa 83-vjeçari u arrestua. Në këtë ngjarje morën pjesë mbi 50 forca policie, ndërsa i pranishëm ishte edhe drejtori i policisë vendore të Shkodrës Edmond Sulaj i cili drejtoi këtë operacion. Policia po heton për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje.
Fraksion.com