AktualitetBota+Të fundit

A po e frenon Perëndimi suksesin ushtarak të Ukrainës?

Nga Roman Gonçarenko

Perëndimi nuk dëshiron të dërgojë armë në Ukrainë që do të arrinin deri në Rusi. A do ta ndryshonte një armë e tillë situatën në fushën e betejës?

Çdo ditë të luftës dhe veçanërisht pas sulmit masiv ajror të fundit rus në qytetet e Ukrainës, është gjithnjë e më e dukshme se kjo është edhe një luftë e kapaciteteve ushtarake. Ukraina është kryesisht e varur nga ndihma ushtarake nga Perëndimi dhe ndërkohë ka probleme të mëdha në mirëmbajtjen e sistemeve për mbrojtje kundërajrore me raketat dhe municionet e nevojshme. Komanda ushtarake e Ukrainës është e bindur se mënyra e vetme për të ndaluar agresionin rus është aftësia e saj për të shkatërruar objektivat në pjesët e pasme të armikut, pra në zonën e kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Rusisë.

Por pikërisht këtu Perëndimi ka përcaktuar një vijë të qartë, që të mos dërgojë armë të tilla që godasin Rusinë në brendësi. Por kohët e fundit është hapur një debat i nxehtë, nëse Gjermania duhet të dërgojë raketat e saj Taurus. Zëdhënësi i qeverisë përsëriti këtë të mërkurë se “nuk ka ndryshim në qëndrimin e Berlinit” për këtë çështje. Para kësaj, kancelari Scholz ka shprehur frikën për “përshkallëzimin” dhe futjen e Gjermanisë në këtë konflikt lufte, gjë që media e kupton si një shpjegim për refuzimin e dërgimit të atyre raketave me rreze veprimi deri në 500 kilometra.

“Kur të dërgojnë amerikanët…”

Vetë Ukraina është një vend i madh, që nuk do të thotë domosdoshmërisht se Taurus do të synonte objektiva në territorin e Rusisë – por kjo është e mundur. Kievi garanton se nuk do të përdorë armë perëndimore për sulme në territorin e Rusisë, por Perëndimi vazhdimisht heziton. Sigurisht, Britania e Madhe dhe Franca dërguan raketa me një rreze pak më të gjatë veprimi në Ukrainë – Storm Shadow dhe Scalp EG mund të godasin objektivat në një distancë prej 250 kilometrash. E kjo do të thotë se ato mund të arrijnë objektiva në pjesën e pasme të ushtrisë ruse në territoret e pushtuara si dhe në Krime.

“Më duket se kancelari Scholz do t’i jepte Ukrainës armë të tilla, vetëm nëse amerikanët do t’u dërgonin armë të ngjashme – ATACMS me rreze më të gjata veprimi,” na thotë Nico Lange, një ekspert ushtarak. Ai shpreson se “së shpejti” një vendim i tillë do të merret në Uashington dhe Berlin. Ngjashëm ishte gjendja më parë edhe me tanket gjermane Leopard 2: Berlini pranoi t’u dërgonte tanke të tilla moderne ukrainasve vetëm kur SHBA-të bënë të njëjtën gjë. Vjeshtën e kaluar, Uashingtoni dërgoi raketa ATACMS në Ukrainë, por me një rreze veprimi prej rreth 160 kilometrash.

Raketat gjermane Taurus janë ideale për të shkatërruar objektiva taktike – për shembull bunkerë dhe ura. Kjo do të thotë edhe shkatërrimin e një ure që çon në Krime, edhe pse duket se kjo urë është një përjashtim për të cilin insiston Perëndimi. Është e vërtetë se pjesa më e madhe e saj ndodhet në territorin e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës, por ushtria ukrainase nuk e sulmon atë me armë perëndimore.

Armët ukrainase

Sigurisht, vetë Ukraina prodhon sisteme të ndryshme armësh, kështu që mund të ndodhë që sulmet në territorin e Rusisë të kryheshin me armë ukrainase. Ukraina nuk e ka pranuar kurrë që ka kryer një sulm me dronë ndaj vetë Moskës dhe ndaj flotës ruse në Novorossiysk, ku me sa duket ukrainasit kanë përdorur raketat e tyre. E njëjta gjë vlenë edhe për sulmin ndaj objektivave në Belgorod.

Ka vetëm disa sulme ku ukrainasit me sa duket përdorën armë perëndimore për sulme në territorin rus. Kështu, në maj të vitit 2023, sipas informacioneve nga të dyja palët, me siguri katër avionë rusë janë rrëzuar në afërsi të Bryansk në kufi me Ukrainën dhe është lehtësisht e mundur që të jenë rrëzuar nga Patriotët Amerikanë.

Po kështu, majin e kaluar, disa grupe vullnetare të armatosura ruse pranë Belgorodit u përpoqën të depërtojnë në territorin e Ukrainës dhe aty u goditën me armë perëndimore. Kishte kritika të ashpra nga aleatët, ndaj nuk pati më incidente të tilla.

Rregullat elementare të luftës

Komandanti i përgjithshëm i forcave ukrainase, gjenerali Valery Zaluzhny, përsërit me këmbëngulje se rregulli bazë i strategjisë ushtarake është të operohet në të gjithë zonën e konfliktit: “Në luftë, është e mundur dhe e nevojshme të shkatërrohet armiku në territorin e tij”, tha ai në një intervistë për Washington Post. Këto janë objektiva të qarta ushtarake: postet komanduese, depot e municioneve dhe karburantit, rrugët dhe autostradat që e sjellin atë në front – e gjithë kjo ndihmon ndjeshëm në mbrojtjen e Ukrainës. Por ai gjithashtu vë në dukje se aleatët e Ukrainës “kanë frikë kur ne përdorim armët e tyre”, që do të thotë se “atëherë ne do t’i shkatërrojmë ata me armët tona”.

Deri në çfarë mase një hezitim i tillë i Perëndimit e kufizon aftësinë luftarake të ukrainasve?

“Nëse ukrainasit do të mund të lëshonin raketa (perëndimore) në zonën e Belgorodit, kjo nuk do të sillte shumë ndryshim”, vlerëson eksperti ushtarak Serhei Hrabsky nga Kievi. “Armët që kemi marrë janë efektive kundër objektivave taktike që janë kryesisht brenda rrezes në territorin (të pushtuar) të Ukrainës”. Por çështja është edhe sasia dhe shtrirja e sulmit të mundshëm. Në fakt, ka “shumë pak raketa      perëndimore që mund t’i përdorim me një gamë të gjerë veprimi dhe kjo nuk ndryshon gjendjen në fushëbetejë”. Po të kishte qindra raketa të tilla perëndimore, do të ishte një situatë tjetër.

Llogaritë e Perëndimit

Hrabski e kupton qëndrimin e Perëndimit dhe Gjermanisë se “ata nuk duan të provokojnë Rusinë si një vend me potencial bërthamor” dhe nuk duan të rrezikojnë një sulm rus ndaj një vendi që është anëtar i NATO-s. Por a është edhe faji i Perëndimit që Ukraina ende nuk arriti të lëvizte ndjeshëm vijën e parë të frontit në verë?

Oficeri dhe historiani austriak, koloneli Markus Reisner beson se Perëndimi nuk është plotësisht i sinqertë në raport me Ukrainën: “Jo çdo gjë që kemi në arsenalet tona dërgohet. Është e vështirë të ngulësh një gozhdë pa një çekiç të vërtetë,” thotë austriaku. Sipas tij, “frika e shumë vendeve perëndimore shpesh bazohet në egoizmin e pastër” dhe dëshirën për t’u kthyer në “jetën e vjetër”, me shpresë se do “të negociojë marrëveshje të mira me Rusinë”. Por ato kohë kanë kaluar në mënyrë të pakthyeshme, mendon Reisner.

Ai tregon edhe Kartën e Kombeve të Bashkuara, sipas së cilës Ukraina ka të drejtën e plotë për t’u mbrojtur kundër sulmeve ruse – pavarësisht se si e quan Putini këtë luftë. Sipas njohurive të tij, njësitë speciale të Ukrainës kanë vepruar me të vërtetë në territorin e Rusisë për një kohë të gjatë. Sulmet me dronë dhe raketa shërbejnë kryesisht si një mesazh për popullatën ruse se kjo nuk është “një luftë që po bëhet diku larg”. Reisner pranon se është e vështirë të shmangen viktimat civile në sulme të tilla në qendrat urbane. Por pasojat e sulmeve të Ukrainës ndaj Rusisë “nuk janë në asnjë mënyrë të krahasueshme me atë që vetë Rusia po bën” në sulmet ndaj qyteteve ukrainase. “Rusët hodhën mbi 500 raketa në Ukrainë në vetëm pak ditë”, thotë oficeri austriak. “Dhe si reagoi Perëndimi? Me vetëm disa fjali dhe me kërcënime retorike.”./REL

 

Fraksion.com