Putini përshpejton dhënien e shtetësisë për të huajt që futen në ushtrinë ruse
Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të enjten një dekret që përshpejton procesin e marrjes së nënshtetësisë ruse për të huajt që bëhen që bëhen pjesë e ushtrisë ruse, ndërsa vazhdon lufta 22-mujore me Ukrainën.
Kjo lëvizje vjen ndërsa Moska po përpiqet të rifreskojë forcat e saj ushtarake në Ukrainë duke përdorur metoda të ndryshme, përfshirë edhe nëpërmjet rekrutimit të emigrantëve. Rusia shërben si një magnet për të tërhequr qindra mijëra persona nga vendet e varfëra të Azisë Qendrore dhe shumë prej tyre aplikojnë çdo vit për të marrë nënshtetësinë ruse.
Presidenti Putin lejoi për herë të parë në shtator 2022 përshpejtim të procesit të shtetësisë për të huajt që nënshkruajnë kontrata me ushtrinë ruse, pak pasi njoftoi mobilizimin e pjesshëm të 300 mijë rezervistëve.
Emigrantët që nënshkruan një kontratë për të paktën një vit dhe që morën pjesë në luftime për të paktën gjashtë muaj u lejuan të aplikojnë për shtetësinë pa demonstruar njohje të mjaftueshme të rusishtes, apo se kanë jetuar për të paktën pesë vite me radhë në Rusi me leje qëndrimi. Bashkëshortet dhe fëmijët e tyre kanë gjithashtu të drejtën të aplikojnë. Autoritetet ishin të detyruara të vendosnin për këto aplikime brenda tre muajve, thuhej në dekretin presidencial të asaj periudhe.
Një tjetër dekret i Presidentit rus Putin i firmosur në maj 2023 e thjeshtëzoi më tej këtë procedurë: u hoq kriteri për pjesëmarrje në luftime për të paktën gjashtë muaj dhe çdokush që firmoste një kontratë njëvjeçare gjatë “operacionit të posaçëm ushtarak” të Kremlinit në Ukrainë, si dhe bashkëshortet dhe fëmijët e tyre, iu lejua të aplikonin me procedurë të përshpejtuar.
Dekreti i nënshkruar të enjten e bëri procesin për nënshtetësinë edhe më të shpejtë. Tashmë vendimet për aplikimet duhet të jepen brenda vetëm një muaji. Nuk pati ndonjë koment nga Kremlini rreth arsyeve përse zoti Putin vendosi të ndërmarrë këtë ndryshim.
Dekreti i ri vjen mes njoftimeve të rregullta të mediave për bastisjet e policisë në qytetet ruse që kanë në objektiv emigrantët. Sipas njoftimeve, të arrestuarve në operacione të tilla shpesh u ofrohet, apo edhe u bëhet trysni, që të nënshkruajnë kontrata me ushtrinë, dhe ata që kanë marrë rishtazi shtetësinë ruse dërgohen në zyrat e rekrutimit për të përcaktuar nëse mund të bëjnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Bastisja më e fundit, e raportuar nga gazeta e pavarur Novaya Gazeta, u zhvillua në natën e Vitit të Ri në Shën Petersburg dhe pati më shumë se 3 mijë emigrantë të ndaluar nëpër rrugë. Raporti citoi një burim anonim policor të thoshte se qëllimi i operacionit ishte gjetja e meshkujve për t’u rekrutuar në ushtri.
Në vjeshtën e vitit 2022, autoritetet e Moskës publikuan reklama për rekrutim dhe oferta për shtetësi të shpejtë në gjuhët uzbeke, taxhike dhe kirgize në disa linja autobusësh, njoftoi gazeta RBK. Kryebashkiaku Sergei Sobyanin premtoi gjithashtu të ngrejë qendra të përkohshme regjistrimi në zyrat qeveritare për emigrantët jashtë Moskës.
Që nga fillimi i sulmit ndaj Ukrainës, drejtuesit rusë janë përpjekur të rrisin fuqinë ushtarake. Zoti Putin ka urdhëruar dy herë rritjen e numrit të ushtarakëve, së fundmi në dhjetor, duke arritur në një total prej 1.32 milionë ushtarësh. Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu ka deklaruar se nevojitet një forcë prej 1.5 milionësh “për të siguruar përmbushjen e detyrave për të garantuar sigurinë e Rusisë”. Ai nuk tha se kur ushtria ruse do t’i arrinte këto përmasa.
Kremlini e konsideronte më parë të mjaftueshme madhësinë e ushtrisë ruse, por kjo përllogaritje ndryshoi pasi shpresat për një fitore të shpejtë ranë përballë rezistencës së fortë ukrainase.
Në gusht 2022, zoti Putin urdhëroi një rritje të përmasave të ushtrisë ruse në 1.15 milionë duke filluar nga 1 janari 2023. Në shtator 2022, ai urdhëroi mobilizimin e 300 mijë rezervistëve. Ky numër përllogaritet tashmë si pjesë e forcës aktuale të ushtrisë.
Ndërsa zoti Putin ka thënë në mënyrë të përsëritur se nuk ka nevojë për të rekrutuar më shumë persona, dekreti i tij i mobilizimit është pa afat, duke i lejuar ushtrisë të thërrasë rezervistë shtesë kur të jetë e nevojshme dhe në thelb të mbajë ata që tashmë janë thirrur në shërbim për një kohë të pacaktuar. Dekreti gjithashtu ua ndalon ushtarëve ndërprerjen e kontratave të tyre.
Presidenti rus Putin tha muajin e kaluar se 486 mijë ushtarë të rinj kanë nënshkruar kontrata me ushtrinë gjatë vitit 2023. Ai nuk tha se sa prej tyre ishin shtetas të huaj.
Disa raporte të mediave dhe grupeve të të drejtave të njeriut, autoritetet gjithashtu kanë ofruar amnisti për të burgosurit në këmbim të shërbimit në ushtri.
Rusia dhe Ukraina kanë mbajtur në fshehtësi numrin e viktimave nga forcat e armatosura. Ushtria ruse ka konfirmuar vetëm pak më shumë se 6 mijë viktima në ushtri, por vlerësimet perëndimore janë shumë më të larta. Në tetor, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se Rusia “ka të ngjarë të ketë pësuar 150 mijë -190 mijë viktima të përhershme”, një numër që përfshin të vrarët dhe të plagosurit rëndë./VOA
Fraksion.com