AktualitetBota+Të fundit

Njeriu që supozohet të ndalojë Donald Trump është një 81-vjeçar jopopullor

Politika amerikane është e paralizuar nga një kontradiktë aq e madhe sa Grand Canyon. Demokratët tërbohen se si rizgjedhja e Donald Trump do të shkatërronte demokracinë e vendit të tyre. E megjithatë, për të vendosur se kë do të vendosë kundër tij në zgjedhjet e nëntorit, partia duket sikur do t’i nënshtrohet me butësi kandidaturës së një 81-vjeçari me vlerësimin më të keq të miratimit të çdo presidenti modern në këtë fazë të mandatit të tij. Po si erdhi deri këtu?

Vlerësimi neto i miratimit të Joe Biden qëndron në minus 16 pikë. Zoti Trump, i cili kryeson sondazhet në shtetet ku do të vendosen zgjedhjet, është afër fitores së dytë presidenciale. Edhe nëse nuk e shihni zotin Trump si një diktator të mundshëm, kjo është një perspektivë alarmante. Një pjesë e konsiderueshme e demokratëve do të preferonin që zoti Biden të mos kandidonte. Por në vend që ta sfidojnë atë ose të përkulen për të mbështetur fushatën e tij, ata kanë filluar të mërmërisin me sy të qelqtë për rrëmujën në të cilën ndodhen.

Nuk ka sekrete se çfarë e bën zotin Biden kaq jopopullor. Një pjesë e të qenit i papreferuar nga populli amerikan është shpërthimi i vazhdueshëm i inflacionit që i është prej kohësh në derën e qytetarëve.

Pastaj është mosha e tij. Shumica e amerikanëve kanë parë te Biden një njeri në të 80-at që ka filluar të tregojë vitet e tij. Ata gjithashtu e dinë se sado i mirë të jetë karakteri i atij personi, nuk duhet t’i jepet një tjetër stazh katërvjeçar në punën më të vështirë në botë.

Në vitin 2023, Biden pati mundësi dhe duhet të kishte vendosur të ishte president me një mandat.

Ai do të dilte i nderuar si një shembull i shërbimit publik dhe do t’i jepte një shuplakë edhe egos së pakufishme të zotit Trump.

Fatkeqësisht, zoti Biden dhe partia e tij gjetën disa arsye që ai të luftonte për një tjetër fushatë dhe tjetër mandat, por, asnjëra prej tyre nuk ishte e mirë.

Ndjenja e tij e detyrës ishte e ndotur nga kotësia.

Pasi ka kandiduar për herë të parë për president që në vitin 1987 dhe ka punuar kaq gjatë për t’u ulur pas tavolinës së zyrës ovale, ai është joshur duke besuar se vendi i tij ka nevojë për të, sepse ai është një mundës i dëshmuar i Trump.

Po kështu, edhe dëshira e stafit të tij për të shërbyer sigurisht që është njollosur nga ambicia. Është në praktikën e administratave që shumë nga këshilltarët më të afërt të një presidenti nuk do të jenë më kurrë kaq afër pushtetit. Ndaj, ata nuk duan ta shohin njeriun e tyre të dorëzojë Shtëpinë e Bardhë pa kapur dhe një mandat të dytë katërvjeçar.

Udhëheqësit demokratë kanë qenë frikacakë dhe të vetëkënaqur. Ashtu si shumë republikanë të guximshëm të Kongresit, të cilët nuk e donin zotin Trump dhe e konsideronin atë të rrezikshëm – por nuk mund ta gjenin forcën brenda vetes që ta fajësonin apo edhe ta kritikonin – forcat demokrate nuk kanë qenë të gatshme të veprojnë mbi shqetësimet e tyre për marrëzinë e zotit Biden.

Nëse kjo ka ardhur për shkak të kërcënimit për karrierën e tyre, sjellja e tyre ishte frikacake. Nëse mendojnë se zoti Trump është armiku i tyre më i keq, kjo është thjeshtë vetëkënaqësi. Vlerësimet e miratimit të zotit Biden kanë vazhduar të bien, ndërsa 91 akuzat penale me të cilat përballet zoti Trump, deri më tani, vetëm sr e kanë bërë atë akoma më të fortë.

Duke pasur parasysh këtë, ju mund të mendoni se gjëja më e mirë do të ishte që zoti Biden të mënjanohej. Në fund të fundit, zgjedhjet duan edhe dhjetë muaj dhe Partia Demokratike ka talent për të bërë zëvendësimin. Mjerisht, kjo është jashtëzakonisht e pamundur: Nëse ai do të tërhiqej sot, Partisë Demokratike do t’i duhej të shpallte me ngut zgjedhje brenda saj, sepse afatet e shpalljes së kandidatëve kanë kaluar tashmë në shumë shtete.

Aktualisht, të vetmit kandidatë zyrtarë në fletëvotim janë një kongresmen pak i njohur i quajtur Dean Phillips dhe një guru, Marianne Williamson.

Ndërsa në 2020, plot 29 kandidatë dolën në zgjedhjet paraprake të demokratëve, tani rrezikohet çdo lloj afati.

Kaosi mund të ia vlente nëse partia mund të ishte e sigurt se do të shkonte në zgjedhje me një kandidat të ri dhe të sigurt për të fituar. Megjithatë, duket po aq e mundshme që fituesi eventual të jetë Bernie Sanders, një socialist i vetëshpallur demokrat, i cili është një vit më i vjetër se zoti Biden, 82 vjeç.

Më shumë gjasa, ka që emërimi do t’i shkonte Kamala Harris, zëvendëspresidentja aktuale. Zonja Harris ka avantazhin se nuk është në moshë të thyer.

Por për fat të keq ajo ka dëshmuar të jetë një komunikuese e dobët, një disavantazh në detyrë si dhe në imazh. Zonja Harris është një krijesë e politikës makinerike të Kalifornisë dhe kurrë nuk ka patur sukses me votuesit jashtë shtetit të saj. Fushata e saj në 2020 ishte e tmerrshme.

Emigracioni dhe kufiri jugor – një portofol që ajo trajton për zotin Biden – është çështja më e fortë e Trump dhe më e dobëta e demokratëve. Shanset e zonjës Harris për të mposhtur zotin Trump duken edhe më keq se ato të shefit të saj.

Prandaj, është më mirë që demokratët të fokusohen në zgjedhjen e zotit Biden.

Duke ecur me Biden

Presidenti nuk është një aktivist i mirë dhe është përballë një kandidati, mitingjet e të cilit janë një takim kulti i kryqëzuar me një shfaqje vaudeville. Ai ka nevojë për dikë që mund të flasë me turmat dhe të dalë në televizion për të. Ai person nuk është zonja Harris.

Një mënyrë se si ajo mund t’i shërbejë partisë së saj dhe vendit të saj, dhe të ndihmojë në mbajtjen e zotit Trump jashtë Shtëpisë së Bardhë, do të ishte të betohej një mandat tjetër si zëvendëspresident.

Ndërsa Biden mund të prezantojë mandatin e tij të dytë si një lloj tjetër presidence, në të cilën ai do të ndante më shumë përgjegjësi me një nënpresidente që vepron më shumë si një CEO. Sido që të jetë, zoti Biden ka nevojë për ndihmën e një ushtrie demokratësh entuziastë, të gatshëm të bëjnë fushatë përkrah tij. Për momentin ai dhe partia e tij janë në gjumë, drejt katastrofës./The economist

 

Fraksion.com