“Sovraniteti territorial i Kosovës ruhet nga NATO”, Hasani për ‘përplasjet’ me Greqinë për ‘Belerin’: Dialogu krijohet kur palët bashkëpunojnë, jo për fishekzjarrë
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani teksa u pyet për marrëdhënien mes Kosovës dhe Shqipërisë, theksoi se bashkëpunimi dypalësh është i ngushtë.
Ai tha se Kosova nuk do të ketë kurrë një aleat më të fortë se sa Shqipëria.
“Marrëdhëniet tona janë të ngushta. Jam në kontakt të vazhdueshëm me Gërvallën. Një gjë është e sigurt se Kosova nuk do të ketë aleat më të fuqishëm dhe më të mirë se Shqipëria dhe SHBA. Sovraniteti territorial i Kosovës ruhet nga NATO. Ne mbajmë njërit-tjetrin të informuar dhe për situatën rajon.”, tha Hasani. Ndërkohë ai u pyet nga gazetarët për përplasjet e Greqisë me Shqipërinë për çështjen “Beleri”.
“Dialogu konstant mes palëve krijohet kur të dyja palët kanë dëshirë për dialog dhe jo për fishekzjarrë. Të plotësojmë angazhimet pa asnjë dyshim dhe pa bllokuar prespektivën europiane.”, pohoi ai.
Mes të tjerash kryediplomati shqiptar u ndal dhe te raporti i Shqipërisë me Turqinë, ndërsa shtoi se në janar të vitit që vjen në Tiranë do të vijë për vizitë zyrtare ministri i jashtëm turk.
“Marrëdhëniet me qeverinë turke janë një histori suksesi. Për këtë ne mburremi se kemi arritur një nivel të tillë bashkëpunimi. Në fund të muajit janar ministri i Jashtëm turk do të vizitojë Tiranën.”, përfundoi ai.
Fraksion.com