Rikthehen zjarrfikëset: Riaktivizohet një vatër zjarri në godinën në Lushnjë
Riaktivizohet një vatër zjarri në godinën në Lushnjë, që u përfshi nga flakët dje.
Kati i katërt ku ndodhej qendra tregtare është i shkatërruar totalisht, ndërkohë që dëme ka edhe në pjesën tjetër të godinës.
Zjarri u arrit të neutralizohej rreth mesnatës, pas gati 9 orë betejë me flakët nga ana e zjarrfikësve, forcave policore dhe RENEA-s. Gjatë gjithë natës, në godinë kanë qëndruar zjarrfikësit për të parandaluar një tjetër riaktivizim të vatrave.
Ndërkohë, vendngjarja vazhdon të jetë e rrethuar me kordon sigurie dhe askush nuk lejohet të kalojë. Më herët sot, shefi i zjarrfikëses së Lushnjës, Xhezmi Metushi, tha se nuk ka asnjë rrezik që vatra të rindizet.
Zjarri u aktivizua rreth orës 14:40. Si pasojë u rrezikua jeta e shumë njerëzve, të cilët ndodheshin aty për pazar si dhe për të festuar ditën e krishtlindjeve, por dhe banorëve të pallatit 12-katësh. Të frikësuar dhe të panikosur, dy fëmijë të vegjël u ngjitën në tarracën e pallatit. Ata u shpëtuan nga forcat RENEA. Sipas autoriteteve, 39 persona si dhe tre zjarrfikës u dërguan drejt spitalit të Lushnjës për ndihmë mjekësore.
Fraksion.com