AktualitetBota+Të fundit

Në prag Krishtlindjesh, Çekia në zi

Të shtënat masive shkundën pasditen e 21 dhjetorit njërin nga vendet më të sigurta në botë.

Me katërmbëdhjetë njerëz të vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur, Praga e Çekisë u bë kryelajm.

“Kemi menduar gjithmonë se kjo është një gjë që nuk na shqetëson neve”, tha kryetari i kryeqytetit me 1.3 milion banorë, Bohuslav Svoboda.

“Tani duket se, për fat të keq, edhe bota jonë po ndryshon”, tha ai.

Fakulteti i Arteve i Universitetit të Karlit, ku sulmuesi qëlloi me breshëri plumbash, gjendet në zemër të Pragës historike – vetëm pak minuta në këmbë nga sheshi i Qytetit të Vjetër në njërën anë dhe nga Ura ikonë e Karlit në anën tjetër.

Zona është një atraksion i madh turistik, me mijëra vizitorë që në këtë kohë shijojnë tregjet e njohura të Krishtlindjeve.

Të dyshuarin për vrasje në hapësirat e universitetit, policia çeke e identifikoi si 24 vjeç, vetë student në Fakultetin e Arteve, dhe tha se ai u “eliminua”.

Sipas shefit të policisë, Martin Vondrashek, sulmuesi kishte leje armësh dhe posedonte disa të tilla.

Rregullorja e armëve në Çeki

Çekia, vend me 10.5 milionë banorë, ka ligje relativisht liberale për armët, në krahasim me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian. Për të siguruar armë në mënyrë të ligjshme, personi ka nevojë për licencë zyrtare, e cila duhet të përcillet me një ekzaminim mjekësor, provim të aftësisë për armë dhe të kaluar të pastër penale.

Sipas statistikave zyrtare të policisë, më shumë se 300.000 njerëz kanë leje të ligjshme për të mbajtur armë.

Motivi për të shtënat vdekjeprurëse në Fakultetin e Arteve nuk është ende i qartë. Policia tha se ka informacione të pakonfirmuara se i dyshuari – i identifikuar nga mediat si David K. – është frymëzuar nga një incident i ngjashëm në Rusi, por nuk dha detaje të tjera.

Ajo që dihet është se sulmi ishte më fatali në historinë moderne të Çekisë.

Në dhjetor të vitit 2019, një sulm me armë në një spital të qytetit të Ostravës la të vrarë gjashtë veta, përpara se sulmuesi ta kthente armën kundër vetes. Ndërsa, në shkurt të 2015-ës, një person hapi zjarr në një restorant në qytetin Uherski Brod, ku u vranë teta veta.

Të shtënat në një kampus universiteti në Çeki ishin të padëgjuara deri më tash.

Pamje njerëzish që hidheshin nga një parvaz i jashtëm i ndërtesës disa kate lart, për të shpëtuar nga sulmi, do të mbeten gjatë në kujtesën çeke.

Të tjerë që kacavareshin në dritare, po ashtu.

“Një tragjedi, të cilën e zmadhon edhe fakti që ndodhi në një shkollë kushtuar filozofisë dhe diskutimit paqësor”, tha në një prononcim të shkurtër për Radion Evropa e Lirë Tomas Klvana, themelues i Institutit Aspen në Pragë.

Autoritetet shpallën të shtunën e 23 dhjetorit ditë zie në Çeki. Me flamujt që do të ulen në gjysmështizë dhe kambanat që do të bien në të gjithë vendin, do të nderohen dhe do të kujtohen të 14 të vrarët.

Sipas Indeksit Global të Paqes, që Instituti për Ekonomi dhe Paqe nxjerr çdo vit, Çekia është ndër vendet më të sigurta në botë.

listën prej 163 vendesh të publikuar këtë vit, ajo është e 12-ta në botë dhe e 8-ta në Evropë.

Pikat më të forta të vendit janë komunitetet e sigurta, shkalla e ulët e krimit dhe ndikimi i ulët i terrorizmit.

Ca pyetje për sulmin e 21 dhjetorit në Pragë, megjithatë, do të duhet të marrin përgjigje, shkruan disa media çeke.

Zyrtarët policorë dhe të pranishmit tjerë në vendin e ngjarjes vepruan me profesionalizëm, shkroi Seznam, porse ndërhyrja e tillë ngre edhe pyetjet e natyrshme: a ka mundur të bëhet më mirë, më shpejt dhe më me efikasitet? Po ashtu, si ka mundur të futet në ndërtesën e universitetit “arsenali i madh i armëve” që përmendi shefi i policisë, shkroi gazeta online çeke.

Por, menjëherë pas sulmit, ngushëllimet dhe thirrjet për solidaritet që bënë si qytetarët e rëndomtë në rrjetet sociale, ashtu edhe udhëheqësit politikë, qoftë në pushtet, apo opozitë, janë vlerat që kanë më së shumti kuptim tash për tash.

 

Fraksion.com