AktualitetPolitikëTë fundit

Parlamenti i jep autorizim SPAK për arrestimin e Berishës

Sali Berisha do të përballet me drejtësinë pa imunitetin e deputetit. Ky vendim u dha mes përplasjeve fizike të deputetëve demokratë me Gardën dhe flakadanëve ngjyrë blu.

Kuvendi votoi pro kërkesës së SPAK, i cili ka kërkuar një masë më të fortë, atë të arrestit me burg apo arrest shtëpie. Me 75 vota pro, u miratua në një situatë të pazakontë në sallën e seancave plenare, teksa opozita protestonte në sallë, por dhe jashtë Kuvendit. Zyrtarisht seanca plenare zgjati vetëm 8 minuta, ndërkohë që maxhoranca votoi njëzëri kërkesën e SPAK, që kërkonte heqjen e imunitetit për Berishën, i cili akuzohet për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

ZHVILLIMET

Një seancë plenare në kushte të pazakonta. Teksa opozita protestonte jashtë sallës, kryeparlamentarja Lindita Nikolla njoftoi nisjes e seancës, ndërsa në rend të ditës, e para çështje ishte imuniteti i Berishës. Teksa lexoi rregulloren, Nikolla ftoi Berishën për të marrë fjalën, por ky i fundit refuzoi.

Berisha ndërsa ndodhej në sallë, nuk pranoi të merrte fjalën, ndërsa e priti me buzëqeshje vendimin, i rrethuar nga disa prej mbështetësve të tij.

Berisha: Vendim antidemokratik votoj në kundërshtim me çdo procedurë kushtetuese, në kundërshtim me çdo procedurë për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim, në një mënyrë apo një tjetër vazhdoi veprën që dështoi me datën 9 shtator 2 vite më parë, nëse dështoi me 9 shtator sot do të jetë më i dështuar se kurrë, ky vendim do të mobilizojë opozitën, do ti japë përgjigjen, ajo që mund të them nga dita e sotme nga klandestiniteti do përfundojë në parlamentin e ditës së miut, u fut nga vrima e miut në parlament, beteja e nisur vazhdon fuqishëm garantoj që kjo opozitë do të qëndrojë e pamposhtur.

Çfarë mund të ndodhë pas së enjtes?

Një zyrë-shtëpi ose shtëpi-zyrë, këto janë dy skenarët e Sali Berishës për të sfiduar edhe njëherë masën e pritshme të arrestit shtëpiak që mund të vendosë SPAK. Kështu, ai mund të ‘burgoset’ në selinë e Partisë Demokratike. Ish-kryeministri ka hedhur në tavolinë me të besuarit e tij disa ide se si do të përballet me drejtësinë, në lidhje me çështjen “Partizani” që është i dyshuar për korrupsion pasiv. Top Channel ka mësuar nga burime konfidenciale zyrtare se një nga qasjet e Berishës që po diskutohet është shndërrimi i zyrës së tij në selinë blu në një dhomë izolimi ku do të vuajë dënimin.

Zyra e punës së Berishës mund të ndryshojë me rendimin e masës së gjykatësve. Në rast të dakordësisë mes Berishës dhe mbështetësve për këtë ide, në zyrë do të duhet të shtohen mobiljet. Nuk do të ketë vetëm një tavolinë me dosje e karrige si dhe një divan pritës, por duhen krijuar hapësira për krevatin e gjumit të Berishës. Ky shihet si një opsion i mirë nga rithemelimi me dhënien e adresës së selisë si vendqëndrim, përderisa edhe OPGJ-t e patën të vështirë të gjenin një banesë fikse në pronësi të Berishës për t’i komunikuar masën e kufizimit të lirisë.

Një variant tjetër mendohet të jetë kthimi i shtëpisë së familjarëve ku ai jeton, në një zyrë. Vetë Berisha ka paralajmëruar se cilido qoftë vendimi i SPAK-ut, ai nuk do të heqë dorë nga drejtimi i Partisë Demokratike. Ashtu siç ka refuzuar paraqitjen në seancat gjyqësore kundër tij, Berisha mund të mo spranojë zbatimin e dënimit dhe të ashpërsohet masa në arrest me burg, pavarësisht kalimit të moshës 70 vjeç. Por edhe pse këto nuk janë ditët më të mira për Berishën, ai nuk ngurron që të premten kur pritet të shpallet edhe arrestimi i tij, të ftojë gazetarët një një takim festiv për fundvit në zyrën e tij.

 

Fraksion.com