AktualitetPolitikëTë fundit

“Opozita u përpoq ta pengojë votimin”, REL: Kuvendi i Shqipërisë hap rrugën për arrestimin e ish-kryeministrit Berisha

Kuvendi i Shqipërisë votoi të enjten në favor të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK) për t’ia hequr imunitetin e deputetit, ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i hapur rrugën arrestimit të tij nën dyshimin për korrupsion.

Prokurorët u kërkuan ligjvënësve javën e kaluar t’ia heqin Berishës imunitetin parlamentar, sepse ai nuk i ishte përmbajtur urdhrit për të raportuar në SPAK çdo dy javë dhe për të mos u larguar nga vendi, derisa po hetohej për korrupsion.

Me 75 vota në favor, Kuvendi e miratoi kërkesën për t’ia hequr Berishës imunitetin parlamentar të enjten.

Në tetor, SPAK-u njoftoi se Berisha akuzohet për korrupsion në një rast bashkë me dhëndrin e vet, Jamarbër Malltezi, për privatizimin e paligjshëm të kompleksit sportiv Partizani.

Opozita u përpoq ta pengojë votimin duke hedhur flakadanë në seancën foltorja e të cilës u sigurua nga një numër i madh i rojeve të sigurisë, ndërkohë që pranë ndërtesës së Kuvendit protestuesit e kundërshtuan vendimin.

Berisha, duke folur gjatë protestës pranë Kuvendit, e quajti vendimin antikushtetues.

“Kuvendi antidekomratik votoi në kundërshtim me çdo procedurë kushtetuese dhe ligjore për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim. Ky vendim jo që nuk do ta shkatërrojë opozitën, por do ta mobilizojë atë në shkallën më të lartë dhe me moton: ‘o sot o kurrë’, do t’i japë përgjigjen më të merituar këtij regjimi”, tha Berisha.

Kuvendi do t’i njoftojë prokurorët për vendimin sotëm dhe pastaj pritet që ata t’i drejtohen gjykatës për masën ndaj Berishës.

Të hënën, Këshilli i Mandateve i Kuvendit të Shqipërisë e çoi në votim heqjen e imunitetit për Berishën me kërkesë të prokurorëve.

Për çfarë akuzohet Berisha?

Berisha, 79 vjeç, u akuzua në tetor se e kishte abuzuar pozitën e tij duke e ndihmuar dhëndrin Jamarbër Malltezi të blejë tokë në Tiranë e cila ishte në pronësi të qytetarëve dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe t’i ndërtojë 17 ndërtesa banimi në atë tokë.

Berisha dhe Malltezi i kanë hedhur poshtë akuzat, duke pretenduar se rasti ndaj tyre është i nxitur nga partia në pushtet e kryeministrit Edi Rama, Partia Socialiste.

Prej tetorit, deputetët e Partisë Demokratike në opozitë i kanë penguar vazhdimisht seancat e Kuvendit për ta penguar, siç e quajnë ata, sundimin tejet autoritar të socialistëve.

Berisha shërbeu si kryeministër i Shqipërisë nga viti 2005 deri më 2013, si dhe si president nga viti 1992 deri në vitin 1997.

Shtetet e Bashkuara në maj 2021 dhe Britania e Madhe në korrik 2022 ia ndaluan Berishës dhe familjarëve të tij të afër të udhëtojnë në këto dy vende, për shkak të dyshimeve të përfshirjes së tij në korrupsion.

 

Fraksion.com