Ish e dashura e McGonigal: Shpresoj dënim maksimal për dosjen shqiptare
Ish-e dashura e Charles McGonigal, Allison Guerriero, ka folur për Daily Mail, pasi ish-agjenti i lartë u dënua me 50 muaj burg dhe 40 mijë dollarë gjobë për të ashtuquajturën dosje ruse.
Guerriero tha se McGonigal është një djall tradhtar, ndërsa tha se do që ai të shkojë në ferr kur të vdesë.
Edhe pse ishte i martuar, Charles McGonigal nisi një lidhje me Allison Guerriero. Madje kjo e fundit mund të ketë nxitur hetimin ndaj tij, pasi i shkroi një letër FBI-së kur zbuloi një qese plot me dollarë në apartamentin që ndanin së bashku. Kjo qese ishte në qendër të hetimeve për atë që njihet si dosja shqiptare.
“Unë thjesht shpresoj që Charlie të marrë një dënim tjetër që shkon në mënyrë të njëpasnjëshme dhe nuk është i njëkohshëm, kështu që ai mund të jetë në burg edhe për të paktën pesë vjet të tjera përveç këtij dënimi,” tha Guerriero.
Dënimi për dosjen shqiptare jepet më 16 shkurt të vitit që vjen. Aktori kryesor i kësaj dosje është kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Guerriero pati denoncuar se kryeministri Edi Rama kishte lidhje shumë të ngushta me McGonigal, me të cilin realizonin shpesh telefonata të gjata sekrete. Po ashtu, kur Rama shkonte në SHBA, ai drekonte dhe darkonte me mikun e tij McGonigal në restorantet më të shtrenjta.
Sipas Guerriero, vetëm një darkë mes Ramës dhe McGonigal shkonte deri në 10 mijë dollarë.
McGonigal e ka pranuar fajin për dosjen shqiptare, duke pranuar kështu si të vërteta të gjitha faktet e gjetura në dosje.
Fraksion.com