Dy ngjarje kriminale në Rrëshen? Sekuestrohen 4 armë zjarri
Në Rrëshen janë parandaluar dy ngjarje të mundshme kriminale.
Në rastin e parë, dy vëllezër kapen me armë zjarri me vete në hyrje të Rrugës së Kombit. Në kuadër të operacionit “Repsi”, Besnik Gjokës dhe Prengë Gjokës, të cilët u arrestuan, iu sekuestrua 1 kallashnikov me fishekë në fole, gati për qitje, dhe 1 pushkë. 39 vjeçari Besnik Gjoka ishte i dënuar më parë për veprën penale “Dhuna në familje”.
Ndërsa në rastin e dytë u arrestua Nikollë Karaqi, pasi u kap me kallashnikov me fishekë në fole, në kuadër të operacionit “Fani”, ndërsa iu sekuestrua kallashnikovi, 11 krehra dhe municion luftarak.
“Strukturat e DVP Lezhë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme në fushën e armëmbajtjes pa leje, të zhvilluara në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar të koduar ‘Sundimi i ligjit’, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë finalizuar 2 operacione për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kanë goditur një rast të mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit, në banesë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në Kurbin u sekuestrua 1 pushkë që u gjet në banesën e Tom Gjeloshi, në Fushë Kuqe. Për shkak të moshës, ai është nën hetim në gjendje të lirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Fraksion.com