AktualitetTë fundit

Balla: “Sundimi i Ligjit” po godet çdo ditë

“Sundimi i Ligjit” po godet çdo ditë armëmbajtjen pa leje, një fenomen që mbetet një shembull i keq në sytë e publikut, një shpërfillje e rëndë ndaj ligjit dhe arrogancë e hapur ndaj shoqërisë sonë.

Kështu u shpreh sot ministri i Brendshëm, Taulant Balla në reagim të rezultateve të Policisë në operacionet e fundit.

Sipas tij, armëmbajtja pa leje është burim potencial i krimeve të rënda kundër personit.

Policia e Shtetit ka ndaluar 14 persona dhe ka sekuestruar 14 armë zjarri dhe një sasi të konsiderueshme muncioni luftarak në Mirditë, Vlorë, Tiranë, Durrës, Berat, Kurbin dhe Shijak.

“Përgëzoj Policinë e Mirditës për riorganizimin, hetimin serioz të ngjarjeve të rënda të mëparshme dhe rritjen e forcës parandaluese, siç u dëshmua sot me parandalimin e një ngjarjeje tjetër të rëndë kriminale”, theksoi Balla.

“Policia e Shtetit duhet të rrisë vigjilencën gjatë ditëve të festave, të bashkëpunojë me qytetarët, me qëllim që të parandalohen ngjarjet kriminale dhe që të mos cënohet atmosfera festive, nga episode të veprimeve të paligjshme”, përfundoi ai.

 

Fraksion.com