Vendimi, Balla: Likuidim i pagesave të prapambetura të ushqimit për Policinë e Shtetit, do të ketë edhe rritje pagash
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi se të gjitha pagesat e prapambetura të ushqimeve për vitin 2023 në Policinë e Shtetit do të likuidohen këtë muaj.
Përmes një deklarate për shtyp nga eventi për kreditë me zero interes për punonjësit e Policisë së Shtetit, ushtaraket dhe personelin mjekësor, Balla theksoi se vendimi tashmë është marrë dhe krahas kredive me 0 interes, për këtë kategori do të ketë edhe rritje pagash.
“100 kredi me interes zero për punonjësit e Policisë në këto festa. Shumë pak e besuan që do ta mundësonim këtë politikë të rëndësishëm, por aq më pak se në ditët në vijim do t’u shkojmë për vizitë atyre që kanë mbyllur procedurat dhe po mobilojnë shtëpitë. Kjo do të ndodhë javën e ardhshme dhe e ftoj kryeministrit. I kërkoj ministrit të financave të rrisë moshën deri në 45 vjeç të paktën dhe besoj se do ta gjejmë mirëkuptimin tuaj në buxhet për të ngritur moshën. Kjo politikë e re do të vazhdojë të konsolidohet. Kemi 934 punonjës që kanë nevojë të trajtohen me kredinë zero interes. Në fund të këtë procesi të del shtëpia falas. Angazhimi im dhe i qeverisë, është që vitin e ardhshëm ta çojmë në 300, në 2025 të përmbyllin 500-shen tjetër të punonjësve të policisë që kanë nevojë për t’u trajtuar me kredi zero interes. Më 1 korrik të vitit të ardhshëm, policia e shtetit do të marrë vlerësimin që i takon, dhe për shkak të rezultateve mbresëlënëse për garantimin e sigurisë në këtë vit të rëndësishëm ku përballuam turistë të shumtë”- tha Balla.
Ndër të tjera, ministri i Brendshëm paralajmëroi miratimin e një projekt- vendimi për trajtimin ushqimor të çdo punonjësi policie dhe studenti të Akademisë së Sigurisë.
“Pas pak minutash do të jemi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave për të miratuar projektvendimin për trajtim ushqimor të çdo punonjës police dhe studentëve të Akademisë së Policisë. Do u jepet pagesë e prapambetur për 2023 dhe më pas do vijohet me trajtim ushqimor”- tha Balla.
Fraksion.com