Trump diskualifikohet për zgjedhjet presidenciale në Kolorado
Gjykata Supreme e Kolorados ka marrë vendim që ish-presidenti amerikan Donald Trump, nuk mund të garojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, duke e cituar një klauzolë kushtetuese për kryengritje.
Gjykata ka marrë vendim që Trump nuk është kandidat i përshtatshëm, sepse është përfshirë në kryengritje, gjatë trazirave që kanë ndodhur në Kongresin amerikan, tre vjet më parë.
Fushata e Trumpit e ka cilësuar vendimin si anti-demokratik dhe është zotuar se do ta apelojë atë.
Kjo është hera e parë që interpretohet një pikë e Amadamentit të 14-të të Kushtetutës amerikane, për të diskualifikuar një kandidat për president.
Tentime të ngjashme për të pamundësuar garën e Trumpit në Nju Jork, Minesota dhe Miçigan, kanë dështuar.
Vendimi i së martës – i cili është vënë në mbajtje deri në vendimin e apelit, muajin tjetër – nuk vlen për shtetet tjera, përveç Kolorados.
Ky vendim vlen vetëm për votimet fillestare të 5 marsit, kur republikanët të votojnë për kandidatin e tyre të preferuar për president, ndonëse vendimi mund të ketë ndikim në zgjedhjet e përgjithshme të SHBA-së, që mbahen në nëntorin e vitit të ardhshëm.
Gjyqtarët kanë thënë se vendime të tilla nuk i marrin lehtë.
“Ne jemi të vetëdijshëm për shkallën dhe peshën e pyetjeve që kemi përpara vetes”.
Ky vendim përmbys një vendim tjetër të një gjyqtari në Kolorado, i cili ka vendosur se ndalesa që përmendet në Amendamentin e 14-të, nuk vlen për presidentët, sepse ata nuk përmenden aty në mënyrë specifike.
I njëjti gjyqtar pati gjetur se Trump ka marrë pjesë në kryengritjen ndaj Kongresit.
Mbështetësit e tij kanë kryer trazira më 6 janar të vitit 2021 në këtë ndërtesë, derisa ligjvënësit kanë qenë duke e certifikuar fitoren e presidentit aktual Joe Biden.
Përfaqësuesit e fushatës së Bidenit nuk e kanë komentuar vendimin e Kolorados.
Aktualisht, Trump po përballet me katër raste penale nëpër gjyqe, përfshirë një rast federal, dhe një padi tjetër në shtetin e Xhorxhias, lidhur me dyshimet se ka bërë përpjekje për përmbysje të rezultatit zgjedhor./rel
Fraksion.com