AktualitetPolitikëTë fundit

Kredi me 0% interes, Rama: Mbështetje afatgjatë për familjet e reja

 Ka nisur nga zbatimi programi i kredive të favorshme për shtëpi për familjet e reja të mjekëve, ushtarakëve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit.
I pranishëm në ceremoninë e organizuar me këtë rast, kryeministri Edi Rama siguroi se “ky është vetëm fillimi i një rruge të re mbështetjeje afatgjatë për familjet e reja të atyre që i shërbejnë ditë-natë shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Shqipërisë”.
Kryeministri theksoi se ky program i dhënies së kredive për shtëpi për të gjithë ata që kanë familje të reja me të gjitha interesat e marra përsipër nga shteti e bën plotësisht të mundur që ata të marrin një kredi dhe të blejnë një shtëpi.
“Sot interesat bankare janë mbi 6%. Janë shumë për dikë që ka vetëm një pagë. Nuk është e lehtë për bankat ta japin këtë kredi duke pasur parasysh perspektivën ndërsa duke pasur kredi pa asnjë interes ndryshon tërësisht norma”, u shpreh Rama.
Kryeministri siguroi se ky është program fitues për të gjithë ata që përfshihen.
“Ne kishim 300 kuota këtë vit. Është hera e parë. Procesi ka pasur probleme të natyrës burokratike, por është vetëm fillimi. Ne dhe aplikantët do të mësojmë. Vitin e ardhshëm do të kemi mundësinë ta zgjerojmë numrin dhe të gjitha këto kategori të bëhen me shtëpinë e tyre”, tha Rama.
Fraksion.com