KPA largon përfundimisht nga drejtësia ish-prokurorin Kol Hysenaj
Kolegji i Posaçëm i Apelimit njofton vendimin mbi ish-prokurorin e Tiranës, Kol Hysenajn, të cilin e ka larguar përfundimisht nga detyra.
Kol Hysenaj u shkarkua nga detyra në shkallën e parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 19 Prill të vitit 2021. Vendimi erdhi pas dy seancave dëgjimore, ku u konstatuan probleme të shumta pasurinë dhe figurën e ish-prokurorit. Kolë Hysenaj ankimoi vendimin, por edhe KPA konstatoi se problematikat ishin shumë të mëdha për ta rikthyer në sistem dhe la në fuqi shkarkimin e tij nga detyra.
Sipas njoftimit të KPA, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Albana Shtylla relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Kolë Hysenaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 368, datë 19.04.2021, i cili e shkarkoi ish prokurorin nga detyra.
Sipas njoftimit, në përfundim të gjykimit, trupi gjykues në mënyrë unanime, vendosi: “Lënien në fuqi të vendimit nr. 368, datë 19.04.2021 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Kolë Hysenaj. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, njofton KPA.
Fraksion.com