AktualitetPolitikëTë fundit

Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e deputetëve të opozitës për Berishën

Gjykata Kushtetuese rrëzoi me shumicë votash kërkesën e 28 deputetëve të PD pasi nuk plotësohen kriteret ligjore paraprake për pranimin e saj. Argumenti i “Kushtetueses” është që një grup deputetësh nuk mund të krahasohen me Kuvendin.

“Pra vetëm Kuvendi mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të bërë një interpretim të nenit të Kushtetutës, apo një interpretim për një çështje si kjo mes SPAK-ut dhe Kuvendit. Mund të legjitimojë vetëm vetë i pandehuri, zoti Berisha, por edhe ai në rastet kur ka kaluar gjithë ky proces në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Pasi ka mbaruar procesi edhe në Gjykatën e Lartë ai mund t’i drejtohej personalisht Gjykatës Kushtetuese“

Në këtë rast sipas Gjykatës Kushtetuese nuk legjitimohen deputetët t’i drejtohen për një çështje të tillë, në emër të një individi kësaj gjykate.

28 deputetë demokratë iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese duke i kërkuar pezullimin e masave shtrënguese ndaj Sali Berishës dhe interpretimin e nenit 73 të Kushtetutës, pika 2 e tij.

Sipas tyre, padia e depozituar kërkon zgjidhjen e kompetencave midis pushtetit gjyqësor dhe atij legjislativ për imunitetin e deputetëve.

Sipas deputetëve demokratë, masa ndaj ish-Kryeministrit në 20 Tetor për “detyrim paraqitje” lidhur me privatizimin e klubit sportiv “Partizani” është antikushtetuese, pasi është ekzekutuar pa marrë më parë autorizimin e Kuvendit.

Dy ditë më parë, Këshilli i Mandatit dhe Imunitetit votoi pro kërkesës së SPAK që kërkon autorizimin për heqjen e imunitetit të Sali Berishës për të proceduar me masë shtrënguese arresti. Raporti i Këshillit do të kalojë për votim në Parlament ditën e nesërme.

 

Fraksion.com