Konflikti Izrael-Hamas, vazhdojnë përpjekjet për një marrëveshje të re për lirimin e pengjeve
Kreu i CIA-s të hënën shkoi në Evropë për bisedime me zyrtarët izraelitë dhe të Katarit, duke sinjalizuar mundësinë e arritjes së një marrëveshje për një armëpushim të ri dhe lirimin e pengjeve në Gazë, ndërsa Sekretari i Mbrojtjes bisedoi me udhëheqës ushtarakë izraelitë për kufizimin e operacioneve luftarake kundër Hamasit.
Megjithatë, nuk ka asnjë shenjë për një ndryshim të shpejtë të situatiës, pas më shumë se dy muajsh bombardimesh dhe luftimesh shkatërruese. Beteja të ashpra u zhvilluan në Gazën veriore, ku banorët thanë se ekipet e kërkim shpëtimit po kërkonin për të vdekur dhe të gjallë nën ndërtesat e rrafshuara nga sulmet izraelite.
Trysnia po shtohet ndërsa Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania, disa nga aleatët më të afërt të Izraelit, iu bashkuan thirrjeve globale për një armëpushim gjatë fundjavës. Protestuesit izraelitë kanë kërkuar që qeveria të rifillojë bisedimet me Hamasin për lirimin e më shumë pengjeve pasi tre prej tyre u vranë gabimisht nga trupat izraelite ndërsa po valëvisnin një flamur të bardhë.
Zyrtarët amerikanë kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin për numrin e madh të vdekjeve të civilëve në Gazë. Por pas bisedimeve me zyrtarët izraelitë të hënën, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se “ky është operacion i Izraelit. Unë nuk jam këtu për të diktuar afate kohore ose kushte.” Shtetet e Bashkuara i kanë vënë veton thirrjeve për një armëpushim në OKB dhe kanë dërguar municione në Izrael.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së shtyu një votim për të martën mbi një rezolutë të propozuar nga vendet arabe, që bën thirrje për ndalimin e luftimeve për të lejuar dërgimin e ndihmave humanitare, në përpjekje për të shmangur një tjetër veto nga Shtetet e Bashkuara. Diplomatët thanë se po zhvillohen negociatat për të bindur Shtetet e Bashkuara që të abstenojë ose të votojë në mbështetje të rezolutës.
Kryeministri Benjamin Netanyahu ka këmbëngulur se Izraeli do të vazhdojë të luftojë derisa t’i japë fund sundimit të Hamasit në Gazë, të shkatërrojë aftësitë e tij të frikshme ushtarake dhe të lirojë pengjet që ende mbahen në Rripin e Gazës që nga sulmi vdekjeprurës i 7 tetorit brenda Izraelit. Në sulmin e pashembullt, militantët vranë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe rrëmbyen rreth 240 burra, gra dhe fëmijë. Ky veprim nxiti një reagim të fortë ushtarak të Izraelit.
Lufta që zgjat prej 10 javësh ka shkaktuar vdekjen e mbi 18,700 palestinezëve. Rreth 1.9 milionë palestinezë – gati 85% e popullsisë së Gazës – janë larguar nga shtëpitë e tyre. Shumica janë grumbulluar në strehime dhe kampe tendash të OKB-së në pjesën jugore të territorit të rrethuar.
BISEDIMET PËR LIRIMIN E PENGJEVE
Në një shenjë të dukshme se bisedimet për një marrëveshje mbi lirimin e më shumë pengjeve po bëheshin më serioze, drejtori i CIA-s William Burns u takua në Varshavë me kreun e agjencisë izraelite të zbulimit, Mossad dhe kryeministrin e Katarit, tha një zyrtar amerikan.
Ky ishte takimi i parë i këtyre tre zyrtarëve që nga përfundimi i një armëpushimi njëjavor në fund të nëntorit, gjatë të cilit rreth 100 pengje, duke përfshirë një numër shtetasish të huaj, u liruan në këmbim të lirimit të rreth 240 palestinezëve, që po vuanin dënime në burgjet e Izraelit.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby tha se bisedimet nuk ishin “në një pikë ku një marrëveshje tjetër është e afërt. Ne po punojmë çdo ditë për këtë çështje.”
Me qëllim të rritjes së trysnisë publike mbi qeverinë izraelite, Hamasi publikoi një video që tregonte tre pengje të moshuar izraelitë, të ulur me bluza të bardha, duke ju lutur Izraelit që t’i lirojë menjëherë.
Komentet ka të ngjarë të jenë bërë nën presion, por video sinjalizoi se Hamasi dëshiron të kalojë në diskutimet për lirimin e burrave të sëmurë dhe të moshuar. Izraeli ka thënë se dëshiron që së pari të lirohen rreth 19 gra dhe dy fëmijë. Hamasi thotë se në mesin e grave janë edhe ushtarë, për të cilët pritet të kërkojë një çmim më të lartë, të lidhur me lirimin e të burgosurve palestinezë.
Hamasi dhe militantë të tjerë ende mbajnë rreth 129 pengje. Hamasi, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, ka thënë se asnjë peng tjetër nuk do të lirohet derisa të përfundojë lufta./voa
Fraksion.com