Rama në Galanë e Sportit: Kemi hyrë në një epokë të re
Yjet e sportit shqiptar u nderuan sot me çmime të veçanta në një mbrëmje gala të organizuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dedikuar sportistëve dhe trajnerëve më të mirë të 2 viteve të fundit, të cilët kanë bërë krenarë Shqipërinë me rezultatet e tyre të larta në arenën ndërkombëtare.
Në mbrëmjen gala ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, i cili dorëzoi trajnerit të ekipit tonë kombëtar Sylvinho Mendes Campos Júnior, trofeun e vlerësimit nga Komiteti Olimpik Shqiptar.
Në fjalën e tij kryeministri Rama u shpreh se është privilegj që iu dha mundësia t’i dorëzojë trajnerit të Kombëtares këtë çmime nga KOKSH.
“Shpresoj shumë që ajo kupë e vogël të jetë një ogur i mirë në betejën për një kupë më të madhe. Nuk kam pasur mundësi të flas me trajnerin, por kam folur pak me Presidentin sot në mëngjes sepse krejt rastësisht takova mbrëmë trajnerin e ekipit kombëtar të Italisë mbrëmë në Romë dhe ndër të tjera më tha që Shqipëria është skuadra më në formë sot për sot nga të gjitha skuadrat. Shpresoj që në 6 muaj Shqipëria të bjerë nga forma dhe Italia të rritet në formë, por po të kisha pasur mundësi të zgjidhja s’do e kisha në asnjë mënyrë që ndeshjen e parë ta kishim me Shqipërinë”, tha Rama.
Rama gjithashtu u shpreh se, “kemi hyrë në një epokë të re në një anë me suksesin e jashtëzakonshëm të Kombëtares. Sukses i arritur me vështirësi, sukses i arritur duke kaluar edhe periudha të vështira midis kualifikimit të mëparshëm në Evropian dhe këtij kualifikimi të ri. Sukses domethënës për të gjithë kombin dhe për të gjithë popullin tonë, sepse tregon se kur një grup njerëzish me dhunti, me dëshirë dhe mbi të gjitha me përkushtim për të bërë çdo sakrificë për të arritur qëllimin e tyre të përbashkët dhe natyrisht edhe me mirë organizimin dhe me drejtimin e duhur nuk i pengon dot asgjë.
Nga ana tjetër, shtoi Rama, “besoj që sukseset e paimagjinueshme, siç është ky i Kombëtares, të një pjese të rëndësishme të atyre që janë sot këtu të pranishëm, i kërkoj ndjesë për të mos i përmendur emër për emër, janë po ashtu rezultat, jo vetëm i një pune të jashtëzakonshme dhe i një ambicieje dhe dëshire të madhe për t’ia dalë të një individi, por edhe pikërisht i krijimit të një fryme skuadre siç ndodh me Federatën Shqiptare të Futbollit, sot edhe me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, për të mbështetur sportistët, për t’iu dhënë atyre të gjitha mundësitë që të fokusohen tek objektivat e tyre”.
Rama tha se, “kemi kapërcyer një fazë jashtëzakonisht, jo vetëm të vështirë, po edhe jashtëzakonisht jo dinjitoze për të gjithë ne, për shtetin tonë, për qeverinë, për patjetër pastaj Komitetin, federatat. Atë fazë kur siç e preku edhe presidenti i KOKSH, ata kampionë që kishim, ose merrnin arratinë dhe hynin në garë për flamuj të tjerë. Ose edhe kur arrinin ndonjë rezultat me flamuj shqiptarë mbeteshin pa asnjë mbështetje dhe pa asnjë përkrahje dhe pastaj mbaronin aktivitetin sportiv dhe ishin rrugëve. Sot, jo vetëm kjo nuk ndodh më , por sot është garantuar që kjo nuk do të ndodhë më kurrë, sepse nga njëra anë të gjithë sportistët, të cilët arrijnë rezultate që nga ato “më modeste”, titujt kombëtarë, deri tek rezultatet fantastike si rezultatet e Luiza Gegës, po përmend vetëm Luziën dhe pastaj të gjithë të tjerëve, shpërblehen dhe përfshihen në një sistem, i cili siguron që dhe pas përfundimit të aktivitetit sportiv të gjithë këta kampionë kanë një vend të nderuar në shoqëri, jo vetëm në zemrën dhe në kujtesën e atyre që i kanë parë triumfet e tyre, por edhe në jetën e tyre të përditshme, duke i përfshirë ne Forcat e Armatosura, duke i përfshirë në Forcat e Sigurisë, duke pasur grada të larta, të cilat natyrisht, nga njëra anë janë simbolike sepse ata nuk ushtrojnë veprimtari kolonelësh edhe nën/kolonelësh, e kështu me radhë, por aq sa janë simbolike, janë të përputhura edhe me një pagë të sigurt për gjithë jetën. Janë të përputhura dhe me pensionin përkatës që vjen pas pagës”.
“Pa llogaritur edhe një fakt tjetër, që shpërblimet për sportistët tanë, që sjellin medalje në vendin tonë janë ndër më të lartat në Evropë. Vetëm kështu ne kemi bërë të mundur të ndalojmë largimin e sportistëve dhe madje siç nuk e kishim imagjinuar asnjëherë, të kemi sportistë që vijnë nga vende të tjera, dhe jo vetëm nga lindja, por edhe nga perëndimi, për të konkurruar me flamurin shqiptar, duke u bërë shtetas shqiptar. Gjë që zakonisht e kanë bërë vendet me shumë më tepër fuqi”, theksoi Rama.
“Më vjen po aq mirë që para pak ditësh i kemi dhënë dhe një mbështetje FSHF-së për të pasur sa më shumë lehtësi në aspektin e organizimit dhe në aspektin e përgatitjeve në rrugën drejt Evropianit të vitit të ardhshëm. Megjithatë unë besoj se më e mira është e gjitha përpara dhe se jemi në një proces edhe në aspektin e çuarjes së gjithë lëvizjes sportive në një nivel tjetër, njësoj si procesi që kemi filluar me lëvizjen Sportive në Shkolla. Ky është një themel shumë i rëndësishëm, por që kërkon edhe kohën edhe durimin e nevojshëm për të ngritur të gjithë ngrehinën”, theksoi Rama.
Rama bërë një falënderim të posaçëm për Presidentin e Komitetit Olimpik Evropian, Spyros Capralos, i cili ndodhej në këtë ceremoni së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, Raffaele Pagnozzi, teksa dha edhe lajmin se trajneri i Kombëtares Silvinjo do të marrë nënshtetësinë shqiptare.
“Rastësia e do që njëri të jetë grek tjetri italian, kështu që grek italian shqiptar jemi në një familje. Kemi dhe një brazilian për të mos prishur syrin e keq. Por nëse grekun dhe italian do t’i lëmë siç janë, brazilianin do ta bëjmë shqiptar se e kemi ndarë mendjen bashkë me Presidentin e Federatës. Po edhe ai e ka pranuar me kënaqësi që të marrë edhe në shtetësinë shqiptare”, tha Rama.