“Marrëveshja“, Rama: Provë që s’i kontrolloj gjykatat!
“Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka bërë detyrën e saj sepse Kushtetuta e pezullon automatikisht një marrëveshje për ta marrë në shqyrtim para se të ratifikohet në parlament. Është prova që unë nuk kontrolloj gjykatat në Shqipëri”.
Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në forumin ‘Atreju’ të organizuar nga partia Fratelli d’Italia, kryetare e së cilës është kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
“Jam besimplotë sepse marrëveshja nuk ka asnjë gjë antikushtetuese. Në Mars është afati kohor, por unë besoj se vendimi do të merret shumë më herët, sepse është një marrëveshje shumë e rëndësishme dhe të dyja qeveritë duan të dinë nëse mund të ecin përpara ose jo”, u shpreh ai.
I vendosur është edhe kur vjen puna për kërkesa të tjera të vendeve europiane, ku shprehet se nuk ka për të ndodhur. Sipas tij, marrëveshja me Italinë, ndodh sepse marrëdhëniet mes dy vendeve janë të një lidhjeje më të afërt.
“Nuk do të pranoj kërkesa të tjera nga vende europiane. Kemi pasur kërkesa të tjera nga vende kushërinj, por kemi thënë jo”, tha Rama pa bërë publike emrat e vendeve të tilla.
“Italia nuk është një vend kushëri, por një vëlla, një motër. Ka një diferencë. Nëse ne bëjmë një marrëveshje me një vend si Italia, e bëjmë si pjesë e angazhimit të përbashkët, jo sikur të jemi një vend i jashtëm në të cilin transferohet problemi. Ajo çfarë Italia po bën nuk është transferimi i problemit, por të zgjerojë hapësirën për të menaxhuar këtë çështje teksa merret me problemin”, tha ai.
Pas fjalës së tij, Rama është takuar me Melonin, ku janë parashikuar disa takime bilaterale, shkruajnë mediat italiane.
Para pak ditësh, Gjykata Kushtetuese pezulloi marrëveshjen për emigrantët. Kryetarja e gjykatës, Holta Zaçaj, sqaroi se shqyrtimi i kërkesës së deputetëve të grupit Berisha-Bardhi nuk është një vendim negativ për marrëveshjen (Lexo më shumë).
Ajo tha se afati i fundit për të thënë fjalën e saj gjykata është më 6 Mars. Sipas saj, deputetët demokratë e kanë ankimuar pasi thonë se nuk është respektuar procedura e negociatave dhe nënshkrimit, marrëveshja ka nevojë për autorizimin e presidentit dhe se protokolli mund të çojë në shkeljen e të drejtave të njeriut.
Zaçaj theksoi se gjykata vendosi ta shqyrtojë pasi pas ratifikimit nuk mund të kontrollojë më legjitimitetin ose jo të marrëveshjes.
“Dhe ankimi ngre dyshime për kushtetutshmërinë e protokollit”, tha ajo për mediat italiane
Fraksion.com