Daily Mail: A do të kërkojë Rishi Sunak një marrëveshje të ngjashme për migrantët e paligjshëm me Shqipërinë, si të Italisë
Rishi Sunak, kryeministri britanik, do të diskutojë nesër planet radikale për të përpunuar kërkesat për azil të emigrantëve. Daily Mail shkruan se ai do të udhëtojë në Romë për një mini samit për migracionin ilegal me kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe homologun e saj shqiptar Edi Rama.
Më pas do të mbajë një fjalim mbi këtë temë në një konferencë politike të organizuar nga partia Vëllezërit e Italisë së zonjës Meloni. Vitin e kaluar, Z. Sunak ra dakord për një marrëveshje historike kthimesh me zotin Rama. Pas kësaj marrëveshjeje numri i shqiptarëve që kalojnë ilegalisht Kanalin ra me 90 për qind.
Nesër ai pritet të diskutojë një marrëveshje të re që do të mundësojë që Italia të dërgojë emigrantë të paligjshëm në Shqipëri për të trajtuar kërkesat e tyre për azil. Marrëveshja e ashtuquajtur ‘zhvendosje përtej detit’ është bllokuar përkohësisht nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Nëse ajo do të mundësohet kjo mund të bëjë që të përpunohen kërkesat në Shqipëri të 36,000 emigrantëve në vit në dy qendra të ndërtuara dhe drejtuar nga Italia.
Qeveria britanike nuk është shprehur nëse zoti Sunak është i interesuar të ndjekë një marrëveshje të ngjashme me Shqipërinë, që do të jetë në funksion së bashku me skemën problematike të qeverisë në Ruandë.
Një zëdhënës tha se samiti i nesërm do të ‘përqendrohet në partneritetet ekzistuese dhe marrëveshjen e kthimit me Shqipërinë’.
Por një burim konfirmoi se në rend dite do të jetë edhe marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë
Italia është në vijën e parë të krizës së migracionit të BE-së, pasi ka pritur pothuajse 130,000 të ardhur në nëntë muajt e parë të këtij viti. Sipas marrëveshjes, Italia do të dërgojë deri në 3000 njerëz në muaj në Shqipëri
Pasi të jenë vlerësuar kërkesat e tyre, Italia do të jetë përgjegjëse ose për rikthimin e tyre ose për dëbimin.
Skema është e ndryshme nga partneriteti i Mbretërisë së Bashkuar me Ruandën, sipas të cilit migrantët nuk do të kenë asnjë mundësi për të aplikuar për azil.
Por disa ministra besojnë se një marrëveshje e zhvendosjes përtej detit’ do ta kishte më të lehtë të kapërcente gjykatat, veçanërisht me një vend si Shqipëria ku tashmë ka një marrëveshje kthimi.
Një burim qeveritar tha më herët sot se skema e vë theksin në interesin në rritje të vendeve të tjera europiane në përpjekjen për të penguar emigrantët e paligjshëm. Gjermania, Danimarka dhe Austria janë ndër shtetet e tjera që po shqyrtojnë marrëveshje të stilit të Ruandës.
Bisedimet e së nesërmes nënvizojnë gjithashtu partneritetin politik në lulëzim midis z. Sunak dhe zonjës Meloni. Dy liderët do të zhvillojnë një seancë kokë më kokë përpara se t’i bashkohet zoti Rama për një diskutim më të gjerë.
Fraksion.com