Sejko: Rritja ekonomike në 3.5%, politika monetare kontribut në uljen e inflacionit
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se, “viti 2023 ishte një vit pozitiv për ekonominë shqiptare. Ndonëse me përballjen e shumë sfidave, ekonomia shqiptare vijoi të shënojë rritje, të gjenerojë vende të reja pune dhe të përmirësojë ekuilibrat e brendshëm e të jashtëm”.
I pranishëm në takimin me Shoqatën Shqiptare të Bankave, Sejko tha se, “sipas parashikimeve tona, aktiviteti ekonomik pritet të rritet rreth nivelit 3.5%. Paralelisht me të, punësimi e pagat kanë ardhur në rritje, inflacioni është në një trend të qartë rënës, borxhi publik dhe ai i huaj janë reduktuar, bilanci i shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë ka shënuar një progres të dukshëm dhe bilancet e sektorit bankar paraqiten të shëndetshme”.
Sejko theksoi se, “kjo ecuri pozitive pasqyron fondamentet solide të ekonomisë, fleksibilitetin e sektorit privat, reagimin në kahun dhe në kohën e duhur të politikave publike, si dhe kontributin pozitiv të industrisë bankare”.
Gjatë fjalës së tij Guvernatori u ndal në presionet e shtuara inflacioniste, që mbeten një rrezik i qenësishëm për stabilitetin monetar dhe financiar të vendit.
“Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një proces gradual normalizimi të qëndrimit të politikës monetare. Ky reagim i yni buron nga një analizë e thellë e situatës ekonomike dhe një bindje se destabilizimi i çmimeve rrezikon stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit në tërësi”, u shpreh Sejko, teksa nënvizoi se, “reagimi i politikës monetare synon të krijojë premisat e duhura monetare për kthimin e inflacionit në objektiv, duke synuar ndikim sa më të ulët mbi ekonominë shqiptare”.
Sejko deklaroi se, “politika monetare ka dhënë kontribut në trendin rënës të inflacionit. Megjithatë, beteja me inflacionin nuk është ende e fituar. Angazhimi ynë ka qenë dhe mbetet të marrim të gjitha masat e nevojshme, në kohën dhe në intensitetin e duhur, për t’i ofruar ekonomisë shqiptare një inflacion të ulët e të qëndrueshëm, një monedhë të besueshme për të ruajtur kursimet, si dhe një ambient monetar të sigurt e të parashikueshëm për të ndërmarrë plane afatgjata biznesi”.
Fraksion.com