AktualitetPolitikëTë fundit

Pranga 2 personave për dhunë seksuale, Balla: Mbrojtje dhe ri-integrim për viktimat

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në një reagim në rrjetet sociale, thekson se Policia e Shtetit duhet të rriti vigjilencën për të parandaluar dhunën në çdo formë të saj, teksa bën thirrje për mbrojtje dhe ri-integrim të viktimave të dhunës seksuale.

Ministri Balla reagoi pas njoftimit nga Policia e Beratit për arrestimin e dy personave, të cilët akuzohen nga Prokuroria se kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë.

“Policia e Shtetit në Berat ka arrestuar në bashkëpunim me Prokurorinë dy persona të dyshuar për marrëdhënie seksuale me dhunë, ndërsa njëra prej viktimave është e mitur”, shkruan Balla.

“Do bëjmë gjithçka që viktimat e dhunës seksuale dhe me bazë gjinore të mbrohen dhe trajtohen me dinjitet e respekt. Është detyra jonë, është detyra e Policisë së Shtetit të rrisim vigjilencën dhe ta adresojmë me vendosmëri dhunën në të gjitha format e saj dhe të marrim masat për të parandaluar dhunën ndaj vajzave, grave, për të mbrojtur viktimat dhe për t’i ndjekur penalisht autorët e krimit. Viktimat e dhunës nuk duhen stigmatizuar, por duhet t’ju ofrojmë mbrojtje, mbështetje dhe ri-integrim të plotë në punë dhe shoqëri”, thekson Balla.

Më herët Drejtoria Vendore e Policisë së Beratit njoftoi arrestimin e 2 shtetasve dhe procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat vunë në pranga shtetasit A. N., 33 vjeç dhe A. Sh., 20 vjeç, të dy banues në Berat, pasi dyshohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, me 2 shtetase 19 dhe 16 vjeçe”, njofton Policia e Beratit.
Fraksion.com