AktualitetPolitikëTë fundit

Beleri’, Rama: Çështjet bilaterale të ndahen nga procesi i negociatave, kjo pengesë jo europiane

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se çështjet bilaterale nuk duhet të ndikojnë në procesin e anëtarësimit të një vendi në BE, pasi këto pengesa janë të paarsyeshme, por edhe joeuropiane në frymë.

Gjatë një konference për shtyp, Kryeministri Rama informoi mbi punimet e samitit të djeshëm BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

Kryeministri bëri të ditur se ka trajtuar në këtë samit edhe çështjen e vështirësisë që prej vitesh krijojnë eksportimet e mosmarrëveshjeve bilaterale mes një vendi dhe një tjetri në tryezën e BE-së.

“Ka një sensibilizim shumë të lartë, sidomos nga shtetet më me eksperiencë dhe jetëgjatësi në familjen e bashkuar europiane, lidhur me faktin se si çështjet bilaterale të eksportuara nga një vend anëtar në tryezën e Këshillit Europian krijojnë pengesa të paarsyeshme”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “çështjet bilaterale duhet të zgjidhen mes dy vendeve”.

“Është e pakuptueshme dhe e paarsyeshme që në një proces integrimi ku një vend hyn në negociata, që do të thotë hyn në një fazë përfundimtare të shtetbërjes europiane duke përfituar përditë nga transferimi i dijes nga BE, të pengohet, vonohet sepse ka një çështje bilaterale. Mbase do të ishte më e kuptueshme që kur vjen momenti që vendi i ka përfunduar të gjitha dhe është vota për t’u anëtarësuar të thotë ‘nuk jam dakord’, por kjo pengesë është e paarsyeshme, por edhe jo europiane në frymë”, shtoi Rama.

Kryeministri nënvizoi se raste dhe histori të tilla kanë qenë jo një e dy, por më shumë se sa një e dy.

“Nuk është rastësi që të gjitha këto raste vijnë nga zona e Ballkanit. Nëse nuk do të gjendet një rrugë për të darë njëherë e mirë çështjet bilaterale nga procesi i negociatave, ne mund ta parashikojmë pa vështirësi se sa probleme të tjera mund të nxjerrin rrugës mes njëra tjetrës. Aq më tepër kur bëhet fjalë për çështje të natyrës historike, krejtësisht politike dhe jo për çështje që prekin ndonjë aspekt që lidhet me vlerat dhe parimet e BE-së”, tha Rama.

Ndërsa në raport me çështjen e dallimit aktual mes Shqipërisë dhe Greqisë, Kryeministri theksoi se nuk është zgjatur, por ka nënvizuar se kjo është një çështje mes nesh që duhet ta trajtojmë mes nesh.

“Në të gjitha rastet është një çështje që për sa na takon si Shqipëri ne nuk e shohim të lidhur as me procesin e negociatave, por as me përmbajtjen e marrëdhënies tonë me Greqinë. Greqia është partner strategjik i Shqipërisë, vend fqinj me të cilin ne duam të thellojmë bashkëpunimin dhe të forcojmë miqësinë duke bërë gjithçka që na takon ne”, tha Rama.

 

Fraksion.com