AktualitetNATO/BETë fundit

BE miraton hapjen e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në bllok

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë dakord papritmas të enjten për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën, diçka që kryeministri hungarez, Viktor Orban, për javë të tëra ishte zotuar se do ta bllokonte.

Diplomatë dhe zyrtarë të BE-së thanë se zoti Orban pranoi të largohej nga salla e votimit, duke e ditur se udhëheqësit e tjerë do të votonin për Ukrainën. Zoti Orban konfirmoi se ai kishte abstenuar nga votimi në takimin e BE-së për atë që ai e quajti një “vendim të keq”.

Kjo ishte një mënyrë kaq e pazakontë për të miratuar një vendim, veçanërisht një vendim kaq madhor, diçka e padëgjuar në Bruksel, madje edhe për një vend ku diplomatët prej kohësh kanë qenë shumë krijues për mënyrën e arritjes së marrëveshjeve.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, e përshëndeti vendimin. “Kjo është një fitore për Ukrainën. Një fitore për të gjithë Evropën. Një fitore që të motivon, frymëzon dhe të jep forcë”, tha ai.

Ukraina ka nevojë të madhe për mbështetje nga aleatët e saj perëndimorë në luftën gati dyvjeçare kundër agresionit rus. Kundërofensiva e saj nuk ka arritur të bëjë përparime të mëdha dhe administrata e Presidentit Biden deri më tani nuk ka qenë në gjendje të sigurojë miratimin në Kongresin amerikan të një pakete ndihme prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ishte “një vendim strategjik dhe kjo ditë që do të mbetet e gdhendur në historinë e Bashkimit tonë”.

Zoti Orban përdori fjalë të tjera për ta përshkruar vendimin.

“Qëndrimi i Hungarisë është i qartë, Ukraina nuk është e përgatitur për ne që të fillojmë bisedimet për anëtarësimin e saj në BE”, tha ai, duke e quajtur vendimin për fillimin e bisedimeve “irracional” dhe “të papërshtatshëm”.

“Por 26 shtete anëtare ishin të bindura se ky vendim duhet të merret, kështu që Hungaria vendosi që nëse 26 vendosin kështu, ata duhet të vazhdojnë rrugën e tyre dhe Hungaria nuk dëshiron të marrë pjesë në këtë vendim të keq”, tha ai.

Bisedimet e anëtarësimit ka gjasa të zgjasin disa vite. Ukraina, e cila ka një popullsi prej 44 milionë banorësh dhe është gjeografikisht më e madhe se çdo anëtar i BE-së, paraqet sfida unike për anëtarësimin në bllokun prej 27 anëtarësh.

Në një diplomaci intensive për këtë çështje, Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kancelari gjerman Olaf Scholz u takuan me zotin Orban përpara takimit, së bashku me zonjën von der Leyen dhe Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

Të mërkurën, Komisioni Evropian i hapi dritën jeshile Hungarisë për rreth 10.2 miliardë euro rimbushime për projektet ekonomike, pasi konstatoi se ai vend i kishte përmbushur kushtet për pavarësinë e gjyqësorit të saj.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha të enjten se Këshilli i Evropës kishte marrë gjithashtu vendimin për hapjen e negociatave me Moldavinë ndërsa Gjeorgjisë i është dhënë statusi i vendit kandidat. Për Bosnjën, tha ai, BE-ja do të hapë negociatat pasi ai vend të përmbushë kriteret e anëtarësimit./VOA

 

Fraksion.com