AktualitetEkonomiTë fundit

Lidhjet e reja të energjisë, ERE shfuqizon vendimin që përfshinte ISHTI-n në miratim

Subjektet që duan të lidhen në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike të tensionit të lartë nuk do të kenë detyrimin e marrjes së miratimit nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial.

Bordi i Komisionerëve i Entit Rregullator të Energjisë vendosi që të shfuqizonte këtë pikë nga rregullorja përkatëse, pas rrëzimit të kësaj shtese nga Gjykata Administrative, ku çështja ishte çuar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes.

“Gjykata Administrative e Apelit me Vendimin nr. 54 (86-2023-794), datë 18.10.2021 vendosi: 1. Pranimin e padisë. 2. Shfuqizimin e vendimit nr. 133, datë 06.06.2022 të Bordit Rregullator të Energjisë Elektrike “Mbi kërkesën e Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial për disa shtesa dhe ndryshime në rregulloren për lidhjet e reja në sistemin e shpërndarjes, miratuar me vendimin nr. 166, date 10.10.2016, të Bordit të ERE, i ndryshuar” parashtrohet në vendimin e ERE ku nënvizohet se pas këtij vendimi që ka marrë formë të prerë shfuqizohet edhe shtesa në rregullore.

Detyrimi që subjektet të merrnin miratim për lidhjet e reja pranë ISHTI-t erdhi pas një shkrese të këtij të fundit në ERE.

Kështu ISHTI kishte dy kërkesa për tu reflektuar në rregulloren “Për Lidhjet e Reja në Sistemin e Shpërndarjes”, të cilat konsistonin: së pari, në përfshirjen në Rregullore të detyrimit të subjektit që kërkon të pajiset me lidhje të re për të bërë regjistrimin pranë ISHTI-t përpara vënies në shfrytëzim (dhënies së tensionit) vërtetuar me dokumentin përkatës të lëshuar prej tij dhe së dyti, në pikën 2.1, të kësaj Rregulloreje, për lidhje të reja në Tensionin e Ulët (TU), fuqia e instaluar 0 – 20 kË, të kërkohet nga ana e aplikantit, projekti elektrik përkatës.

Vetë Enti me vendimin nr. 247, datë 13.12.2021, filloi procedurën mbi shqyrtimin e kërkesës së ISHTI-t dhe pas ndjekjes së të gjithë hapave proceduralë të parashikuar në ligj dhe në aktet nënligjore në fuqi, konkludoi me vendimin nr. 133, datë 06.06.2022.

Kërkesa fillimisht e reflektuar në rregullore dhe tashmë e shfuqizuar, argumentohej në atë kohë nga ISHTI me faktin që Këshilli i Ministrave kishte miratuar disa vendime ndër vite që lidheshin me rregulla teknikë dhe kushte për garantimin sigurisë së instalimeve elektrike të tensionit të lartë mbi 1 kV të cilat sipas Inspektoratit kishin marrë fuqi ligjore të detyrueshme për zbatim nga ana e operatorëve dhe përdoruesve që veprojnë në treg./monitor

 

Fraksion.com