Arrestohen dy punonjës policie në Rinas, akuzohen për korrupsion
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njoftoi sot se ka arrestuar dy punonjës policie, të komisariatit Rinas, pasi dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të korrupsionit.
Në një njoftim për mediat, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bën të ditur se dy të ndaluarit do të përballen në gjykatë me akuzën “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
AMP njofton se “të arrestuarit janë Inspektor A.D., 31 vjeç, me detyrë Kontrollor në Komisariatin e Policisë Aeroporti Rinas; Inspektor E.B., 24 vjeç, me detyrë Kontrollor në Komisariatin e Policisë Rinas”.
“Arrestimi u krye pasi, gjatë hetimit u krijuan dyshime të arsyeshme, bazuar në prova se punonjësit e policisë, duke shfrytëzuar funksionin organik, kanë kërkuar dhe përfituar vlera monetare në formë ryshfeti, nga një shtetase që udhëtonte në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë”, njofton Policia.
“Vijon puna për evidentimin e personave apo punonjësve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, si edhe nëse ka raste të ngjashme”, përfundon njoftimin AMP.
AMP fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe për Shpëtimin, duke telefonuar falas në numrin 08009090.