AktualitetTë fundit

15 të arrestuar nga “Tempulli” e “Sundimi i Ligjit”

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, bën të ditur se Policia e Shtetit ka rritur vigjilencën për të parandaluar përdorimin e lëndëve piroteknike apo ngjarjeve të tjera kriminale në këtë fund vit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Balla duke vlerësuar rezultatet e operacionit “Tempulli” dhe Sundimi i Ligjit”, ku u arrestuan 15 persona, shtoi se këto dy operacione të ndërthurura me paketën e sigurisë në Shkolla, po forcojnë zinxhirin e sigurisë në institucionet e arsimit në vendin tonë.

““Sundimi i Ligjit” dhe “Tempulli” në Dibër, Shkodër, Elbasan, Korçë, Berat, Kukës, Kavajë dhe Tepelenë, kanë vënë përpara përgjegjësisë penale 15 shtetas.
Armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike, lëndë piroteknike dhe sende të tjera të kundërligjshme janë sekuestruar gjatë këtyre episodeve”, shkruan Balla.

“Mega-operacioni “Tempulli”, i ndërthurur me masat e përcaktuara në Paketa e Sigurisë në shkolla, po forcon përditë zinxhirin e sigurisë në shkolla. Ndërkohë, goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të mega-operacionit “Sundimi i ligjit”, kryesisht kundër armëmbajtjes pa leje dhe për kapjen e shtetasve në kërkim, po largojnë nga komuniteti, shtetas me rrezikshmëri për jetën dhe pronën e qytetarëve”, vijon Balla.

“Më shumë vigjilencë dhe përkushtim nga strukturat e Policisë së Shtetit, gjatë muajit dhjetor, për të parandaluar vjedhjet, për të ndaluar përdorimin e kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, si dhe për të garantuar parametra optimale të rendit dhe sigurisë në tërësi”, përfundon Balla.

 

Fraksion.com