“Vdekja” e një Kryeministri
Mëngjesin e së martës 7 prill 2020, u ngarkova nga Daily Mail të shkruaja nekrologjinë e Boris Johnsonit. Në orën 7 pasdite, të hënën në mbrëmje, kryeministri ishte shtruar në njësinë e kujdesit intensiv në Spitalin St Thomas dhe askush nuk e dinte nëse do t’ia hidhte. Vdekja vuri dorën e saj të akullt mbi të, dhe sondazhet tregojnë se ai fitoi miratim dhe simpati më të madhe nga publiku, se sa në çdo kohë tjetër, para dhe pas kësaj. Për disa ditë, Johnsoni nuk ishte më Brexiteeri i urryer, populist i paskrupullt dhe gënjeshtar i pacipë, por një qenie njerëzore, e barabartë me çdo viktimë tjetër të pandemisë, e vdekshme si ne të tjerët.
Johnson është një njeri jashtëzakonisht, i vështirë për të shkruar për të. Kur i pyeta fëmijët e mi, atëherë njëzet e pesë, njëzet e një dhe nëntëmbëdhjetë vjeç, nëse mund t’ua kushtoja këtë libër, me kusht që të vendosja në një rresht se kishin rezerva të vogla për Johnsonin, njëri prej tyre u përgjigj: “Vetëm nëse themi se mendojmë që ai është një qenie njerëzore e poshtër dhe e neveritshme.”
Boris Johnsoni frymëzon te shumë njerëz një neveri të thellë; tek shumë të tjerë dashurinë dhe mbështetjen më të ngrohtë. Unë nuk aspiroj të ndryshoj mendimin e askujt për të: do të ishte një përpjekje e kotë.
Sapo filloj të shpjegoj pse Johnsoni nuk ka qenë, në periudha të caktuara të karrierës së tij, një dështim total, ekspozohem ndaj akuzës se po injoroj ose zbus gabimet e tij. Por çdo simpati që i shpreh atij (dhe nuk mendoj se Johnsoni mund të kuptohet pa një shkallë simpatie) mund të hidhet poshtë nga admiruesit e tij si keqardhje e pamjaftueshme.
Nuk kishte kohë për t’u shqetësuar për të gjitha këto ndërsa shkruaja nekrologjinë e tij për Daily Mail, e cila në një kohë tronditjeje dhe zie kombëtare priste, supozova, një rrëfim që të paktën përfundonte me tone relativisht të favorshme. Kjo, përafërsisht, është ajo që u dërgova:
“Boris Johnsoni e pëlqente këngën e “Chumbawamba”, “Më rrëzojnë, por ngrihem përsëri. Nuk do të më mbani kurrë të gjunjëzuar”. Ai u rrëzua shpesh, por deri kur jeta e tij u ndërpre nga Covid-19, gjithmonë ngrihej përsëri. Johnsoni ishte shumë më pak i kujdesshëm se politikani i zakonshëm i karrierës, ndërmori rreziqe të cilat të tjerë i konsideronin si të çmendura, por u ringrit sërish, pas goditjeve që do të kishin shkërmoqur një figurë më pak elastike.
Me hyrjen në Commons në 2001 si deputet i Henley-t, ai vendosi, në kundërshtim me të gjitha këshillat e matura, që të mbetej redaktor i The Spectator. Politikanët e lartë dhe ekspertët e paralajmëruan se kalërimi i dy kuajve do të përfundonte në lot. I sfidoi parashikimet e tyre dhe në fillim gjithçka shkoi mirë. U bë gjithnjë e më i famshëm dhe në fillim të shtatorit 2004, Vanity Fair e quajti “deputeti konservator që një ditë mund të bëhej kryeministër”.
Michael Woolf, i cili shkroi profilin për atë revistë, e krahasoi Johnsonin me dy aktorë të famshëm që kishin hyrë në politikë: ‘Ai është, kur josh, magjeps dhe rrezaton humor të mirë, Ronald Reagan. Dhe Arnold Schwarzenegger… Ai është, mendoj unë, frymëzues.” Asnjë deputet tjetër konservator nuk mund të krahasohej me Reaganin, një nga presidentët më të suksesshëm (megjithëse në fillim e tallën) amerikanë të pasluftës, ose me Schwarzenegger-in, i cili më pas shërbeu si guvernator i Kalifornisë. Johnsoni kishte një aftësi mahnitëse për t’u lidhur me publikun e gjerë. Ai kishte cilësi të yjeve dhe konservatorët filluan të mendonin, se ai mund të ishte lideri që do t’i jepte fund dekadës së suksesit të laburistëve nën Tony Blairin.
Në verën e vitit 2004 fillova punën për vëllimin e parë për Johnsonin, botuar në 2006 dhe përditësuar në 2007, 2008, 2012 dhe 2016. Ai në fillim ishte jashtëzakonisht i entuziasmuar nga ideja e një libri ku flitej për gjithçka rreth tij (“Kaq kolosal është vaniteti im, sa që nuk kam ndërmend të përpiqem të të ndaloj”), por më pas u ftoh (“Çdo gjë që supozohet të thotë të vërtetën do të ishte vërtet e patolerueshme”), dhe më ofroi 100,000 stërlina për ta braktisur projektin, që unë, i mërzitur nga ideja që ai mendonte se mund të më blinte, i refuzova.
Në tetor 2004, The Spectator botoi një editorial në të cilin abuzonte me njerëzit e Liverpool-it dhe bëri disa gabime mizore në lidhje me fatkeqësinë e Hillsborough. Pati bujë dhe Michael Howard, lideri i Partisë Konservatore, i cili ishte një tifoz i Liverpool-it, u paralajmërua se herën tjetër që do të shkonte në një ndeshje do të fërshëllehej. Howard u zemërua dhe urdhëroi Johnsonin të shkonte dhe t’u kërkonte falje tifozëve të Liverpool-it, duke folur vetëm për mediat lokale. Këtë e bëri Johnsoni, por shtypi kombëtar ishte i vendosur të mbulonte edhe ai lajmin, dhe gjatë vizitës së tij në qytet u shkaktua një rrëmujë mediatike që argëtoi mbarë vendin, por e bëri Howardin të dukej qesharak.
Më keqja do të vinte. Johnsoni hodhi poshtë artikujt e shtypit për lidhjen e tij me Petronella Wyatt si “një piramidë e përmbysur broçkullash”, shtypi vërtetoi se ai po gënjente dhe Howard, i cili e kishte promovuar vetëm disa muaj më parë në postin e zëdhënësit në hije për Artet, e shkarkoi. Nga fundi i vitit 2004, karriera politike e Johnsonit ishte në gërmadha. Shumë nga kolegët e tij deputetë konservatorë, xhelozë për famën dhe të zemëruar nga neglizhenca e detyrave parlamentare, kishin arritur në përfundimin se ai ishte i pandershëm dhe jo i besueshëm.
Kështu që, kur Howard humbi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005 dhe dha dorëheqjen nga udhëheqja e konservatorëve, Johnsoni nuk ishte në pozicion të mirë për të bërë një ofertë për postin vakant, dhe në vend të kësaj mbështeti David Cameronin, i cili fitoi. Cameron kishte qenë më i vogël se ai në Eton, më i vogël se ai në Oksford, kishte një mendje më pak origjinale dhe, derisa u bë lider, ishte më pak i famshëm se Johnsoni, i cili kishte patur qasje në publikun e gjerë duke dhënë një seri performancash zbavitëse në “Kam lajme për ty”.
Dhjetë vitet e ardhshme i përkisnin Cameronit të matur dhe profesionist, jo Johnsonit të papjekur dhe joserioz, i cili duhej të kënaqej me postin e vogël të zëdhënësit në hije për arsimin e lartë. Në vitin 2006, në festën e lançimit të një libri që kishte shkruar për Romën e lashtë, Johnsoni tha në fjalimin e tij: “Nganjëherë pyes veten se çfarë bëjnë njerëzit si unë në jetën publike” dhe vazhdoi: “Besoj është që ne shpresojmë të bëhemi zëdhënës në hije për arsimin e lartë.”
Ishte për të qeshur sepse ishte qartësisht një marrëzi. Johnsoni dëshironte të bëhej kryeministër, por e dinte se nuk do të arrinte asgjë në Westminster për sa kohë që Cameroni ishte në krye. Mary Wakefield, e cila punonte tek “The Spectator”, ishte ndër personat që sugjeruan që Johnsoni të përballej me Ken Livingstone, kryebashkiak i Londrës, në zgjedhjet që do të mbaheshin në maj 2008. Problemi ishte se Livingstone konsiderohej i pathyeshëm. Avantazhi ishte se Johnsoni do të hynte në një garë popullariteti, në të cilën aftësia e tij për të rrokur publikun e gjerë, duke përfshirë ata që urrenin politikanët konvencionalë, mund të ishte një as nën mëngë.
Johnsoni guxoi të dilte kundër Livingstonit të pushtetshëm, diçka që asnjë konservator tjetër i shquar nuk ishte i përgatitur të bënte, dhe fitoi, me ç’rast dha dorëheqjen nga vendi i tij në parlament. Ai ishte treguar një aktivist dhe shpejt filloi të shkëlqente si ambasador i Londrës, që do të ngrihej në mbrojtje të metropolit kundër qeverisë qendrore. Ai punësoi individë të talentuar si Simon Milton për punët administrative, për të cilat temperamenti që kishte e bënte atë vetë të papërshtatshëm. Në maj të vitit 2012, Johnsoni mundi përsëri Livingstone dhe atë verë ai mirëpriti botën në Londër, me rastin e Olimpiadës.
Mediat dhe shumë londinezë prisnin që Lojërat të ishin një telash, me trenat dhe autobusët që nuk mund të përballonin kaq shumë vizitorë. Johnsoni këmbënguli që Lojërat do të ishin një triumf dhe u vërtetua që ai kishte të drejtë. Ai vazhdoi të dominonte çdo dalje publike të përbashkët me Cameronin, i cili prej vitit 2010 kishte shërbyer si kryeministër.
Gjatë Lojërave Johnsoni ngeci i varur në litar, një situatë e sikletshme që e popullarizoi edhe më shumë. Në një rast tjetër të famshëm, i rrëmbyer nga shpirti i garës që e karakterizon, ai goditi me regbi një lojtar gjerman, ndërsa merrte pjesë në një ndeshje bamirësie – gjë që shumica e njerëzve as nuk do ta mendonin ta bënin. Në një rast tjetër, hodhi përdhe një fëmijë japonez ndërsa luante regbi. Sjellja e Johnsonit ishte një fyerje për idenë e njerëzve me mendje serioze, se si duhet të drejtohet politika.
Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2015, Johnsoni u kthye në Westminster, tashmë si deputet në Uxbridge, në perëndim të Londrës, në mënyrë që të pretendonte se po përfaqësonte qytetin për të cilin do të mbetej kryetar bashkie deri vitin e ardhshëm. Në fillim nuk ishte e qartë se për çfarë do të duheshin në Westminster dhuntitë e Johnson-it si fushatëbërës. Cameroni, për habinë e gjerë, kishte arritur të fitonte një shumicë të ngushtë për konservatorët në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2015, pa ndonjë ndihmë të veçantë nga Johnsoni. Por Cameroni me zor kishte qenë në gjendje të mbante të bashkuar partinë konservatore dhe të zbehte kërcënimin e UKIP, duke premtuar që, nëse fitonte zgjedhjet, do të mbante një referendum mbi anëtarësinë e Britanisë së Madhe në BE.
Ky ishte shansi i Johnsonit. Me mjeshtërinë e tij të teatralitetit politik, ai u lëkund midis atyre që donin qëndrimin dhe të tjerëve që donin largimin, pranoi se ‘po vërtitej gjithandej si një karrocë supermarketi’, madje bëri të ditur se kishte shkruar dy artikuj të kundërt për Daily Telegraph, njëri në favor të qëndrimit në BE dhe njëri pro largimit. Në kohën e çajit, pasditen e së dielës 21 shkurt 2016, ai doli nga shtëpia e tij e bukur në Islington dhe shpalli para turmës së emocionuar të gazetarëve që ishin mbledhur jashtë, se do t’i bashkohej fushatës për largimin. Johnsoni u përball me Cameronin, duke u bërë zëri i votuesve euroskeptikë të Britanisë, të cilët e ndjenin veten të përbuzur dhe të injoruar nga establishmenti pro-evropian. Ai shpërfaqi sërish aftësitë si një mjeshtër fushatash, që ndryshe nga pothuajse çdo politikan tjetër britanik, mund të hynte në një qendër tregtare të zymtë të mërkurën pasdite dhe ta gjallëronte në çast”.
Dhe kështu nekrologjia vazhdonte e vazhdonte. Daily Mail po më kërkonte kopjen time, e vendosur që artikullin ta kishte gati për botim në momentin që kryeministri ndërronte jetë. Tashmë kisha arritur ta çoja Johnsonin në Downing Street. Pak çaste më vonë në artikull, e dërgova në atë botë.
“Pastaj erdhi pandemia. Kërkonte një ndryshim në ton: Johnsoni duhej të frenonte egërsinë e tij natyrore. Këtë e bëri dhe tregoi se po punonte natë e ditë me ekipin e tij për ta mbrojtur kombin nga rreziku, pavarësisht çdo rreziku që shfaqej për shëndetin e tij. Karriera e tij është shkurtuar mizorisht në një pikë kur ai sapo kishte arritur sukseset e veta më të mëdha – Brexit dhe fitoren e zgjedhjeve të dhjetorit 2019 – dhe dukej i vendosur që për shumë vite të rrinte në krye të vendit, për të zhvilluar vizionin e tij për konservatorizmin. Shumë njerëz që nuk e patën besuar kurrë, e kuptuan në fund se ky njeri që prej kohësh u dukej thjesht një shakaxhi, ishte në të vërtetë një burrë shteti me dhunti të jashtëzakonshme politike, komunikuesi më i shkëlqyer i brezit të tij, i shtyrë jo vetëm nga një etje e zjarrtë për famë, por edhe nga një dashuri e thellë për vendin e tij dhe një vendosmëri për t’i shërbyer me sa fuqi që kishte”.
Johnsoni nuk vdiq dhe armiqtë e tij, disa prej të cilëve u befasuan kur zbuluan se, në çastet kur ai ishte në prag të vdekjes, kishin ndjenja të buta për të, shpejt u kthyen tek krahasimi me Hitlerin, apo Mbretin John, i konsideruar si monarku më i keq në historinë angleze.
Shkëputur nga Libri “Boris Johnson, ngjitja dhe rënia e një ngatërrestari” me autor Andrew Gimson/bota.al
Fraksion.com