Nëse punonjësit e ministrisë kanë folur me Zoton, ka përgjegjësi penale”, Rumano: Qasja e Prokurorisë e gabuar!
Avokati Gentian Rumano, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur lidhur me dosjen e SPAK për inceneratorin e Tiranës, ku rreth kësaj të fundit pati zhvillime të reja gjatë ditëve të kaluara.
Rumano u shpreh se nëse mes Klodian Zotos dhe disa pjesëtarëve të ministrive ndaj të cilëve janë marrë masa nga prokuroria, ka pasur komunikime, atëherë ndaj këtyre të fundit ka përgjegjësi penale lidhur me rastin e inceneratorit të kryeqytetit.
Ai u shpreh kritik për Prokurorinë sa i përket arrestimit të punonjësve të QKB-së, pasi sipas tij nëse do kishim 4-5 ofertues dhe këto kushte i përfshinte vetëm kompania e Zotos, ky i fundit do të ishte sërish fituesi.
Sipas tij këta punonjës kanë kryer detyrën dhe kanë zbatuar ligjin me regjistrimin e Zotos si pronar përfitues.
“Nëse do vijojmë me prezumimin se ka pasur komunikim mes Zotos dhe pjesëtarëve të ministrisë, patjetër që ka përgjegjësi penale. Nëse këto do provohen nga Prokuroria ka përgjegjësi ndaj këtyre punonjësve që kanë komunikuar.
Ne njohim atë që ka thënë prokuroria, e cila thotë se ka e-maile mes Zotos dhe këtyre punonjësve, ndaj duhet të kemi një rezervë, jo vetëm për t’i dhënë mundësi prokurorisë të vijojë hetimet.
Janë këto komunikimet që kanë bërë këta personat me Zoton. Nëse do kishim 4-5 ofertues dhe këto kushte i përfshinte vetëm kompania e Zotos, a nuk do të ishte ai sërish fituesi? Kanë marrë disa shkresa dhe këto po i bëjnë arreste në burg, por s’mund të jetë kjo qasja. Mua më intereson ku është leku, çfarë me interesojnë shkresat. Ka kaq vite që janë në hetim dhe nuk ka një hetim të parave.
Është e pakonceptueshme që Prokuroria të kërkojë 2 masa arresti për dy punonjës që QKB-së për regjistrimin e pronarëve përfitues, këtë e ka ligji. Në momentin që aplikon duhet të pranohet. Kush është ky prokuror që nuk e kupton këtë gjë? Nëse nuk do pranohej kjo kërkesë sërish do ishte shpërdorim detyre sepse prokurori do thoshte përse nuk e kanë regjistruar pronarin përfitues”, u shpreh ai.
Fraksion.com