AktualitetBota+Të fundit

Izraeli intensifikon luftimet në Gazë

Izraeli i ka hedhur poshtë akuzat e vendeve arabe si të papranueshme dhe të rreme, se me veprimet në Gazë po radikalizon një gjeneratë të tërë dhe se forcat e saj po bëjnë përpjekje për ta spastruar Gazën. Luftimet kanë vazhduar gjatë natës dhe sot në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi sot se ka biseduar me disa udhëheqës botëror. Ai i kritikoi qëndrimet e tyre kundërthënëse për luftën.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të dielën se lufta në Gazë “vazhdon edhe më fuqishëm”, ndërsa i drejtohej kabinetit të tij në Jerusalem.

Izraeli vazhdoi ofensivën pasi Shtetet e Bashkuara bllokuan thirrjen për armëpushim në Këshillin e Sigurimit dhe i dërguan më shumë municione aleatit të tij i ngushtë. Kryeministri Netanyahu tha se gjatë bisedave të fundit që ka pasur me udhëheqës botëror i ka kritikuar këta të fundit për trysninë që po i bëhet vendit të tij për armëpushim.

“Gjatë dy ditëve të fundit, kam folur me Kancelarin Scholz, me Presidentin Macron dhe me udhëheqës të tjerë, dhe u thashë atyre se nuk mund të mbështesni nga njëra anë eliminimin e Hamasit dhe nga ana tjetër të na bëni trysni për t’i dhënë fund luftës”, tha të dielën Kryeministri izraelit dhe shtoi:

“Aktualisht ka arritur një tjetër ngarkesë me municione të rëndësishme për vazhdimin e luftës. Falënderoj Presidentin Biden, me të cilin fola pardje edhe për faktin se Shtetet e Bashkuara qëndruan pranë Izraelit në Këshillin e Sigurimit kundër thirrjes për armëpushim, dhe sigurisht edhe për ndihmën që Shtetet e Bashkuara ofrojnë për Forcat e Mbrojtjes të Izraelit”.

Izraeli është përballur me trysni në rritje për një armëpushim pasi autoritetet e Hamasit thonë se janë vrarë mijëra palestinezë dhe se rreth 85% e popullsisë së saj është zhvendosur.

Të dhënat e Hamasit nuk bëjnë dallimi mes viktimave civile dhe pjesëtarëve të grupit militant që më 7 tetor kreu një sulm terrorist në pjesën jugore të Izraelit duke vrarë 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe mori peng 240 të tjerë. Mbi 100 pengje izraelite u liruan në këmbim të dhjetëra palestinezëve të burgosur në Izrael gjatë një ndalimi një javor të luftës gjatë muajit të kaluar.

Ushtria izraelite publikoi gjithashtu pamje për të cilat thotë se tregojnë ofensivën tokësore dhe ajrore në Gazë.

Ushtria izraelite tha se goditi 250 objektiva të Hamasit një ditë më parë përfshirë depo armësh dhe tunele nëntokësore.

Kryeministri i Katarit, Sheikh Al Thani, tha të dielën gjatë një forumi në Doha se vazhdimi i luftës dhe publikimi i imazheve nga Gaza rrezikon të radikalizojë një brez të tërë në Lindjen e Mesme.

“Kur shikon imazhet e përditshme nga Gaza duket se lufta nuk po ndikon vetëm tek ato forca në Liban, Jemen apo Irak, por gjithashtu po prek një brez të tërë që mund të radikalizohet për shkak të këtyre imazheve dhe duke parë komunitetin ndërkombëtar që nuk reagon me pergjegjësi”, tha të dielën Emiri i Katarit, Al Thani.

Izraeli ndërkaq ka reaguar ashpër kundër akuzave të ministrit të jashtëm jordanez Ayman Safadi i cili tha në Doha se forcat izraelite, përveç vrasjes masive të civilëve po bëjnë edhe “përpjekje sistematike për të spastruar Gazën nga populli i saj”.

Zëdhënësi i qeverisë izraelite, Eylon Levy tha se “këto akuza janë të papranueshme dhe të rreme”.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi të dielën se sistemi shëndetësor i Gazës ishte “në gjunjë dhe në kolaps”, siç u shpreh ai, me rreth dy të tretat e kapaciteteve edhe pse nevojat janë rritur.

Papa Françesku bëri thirrje të dielën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në zonat e luftës ndërsa iu drejtua besimtarëve në Vatikan.

“Disa konflikte kanë rrënjë të thella historike, por ne kemi edhe dëshminë e burrave dhe grave që kanë punuar me urtësi dhe durim për bashkëjetesën paqësore. Le të ndjekim shembullin e tyre dhe ndërsa flasim për të drejtat e njeriut, le të mbrohen civilët, spitalet dhe vendet e kultit, pengjet të lirohen dhe ndihma humanitare të garantohet. Të mos harrojmë Ukrainën, Palestinën, Izraelin e martirizuar”, tha udhëheqësi i Kishës Katolike./VOA

 

Fraksion.com