Dështon grabitja në Tiranë, autorët shkëmbim zjarri me policinë
Një tentativë grabitje në fshatin Prush të Tiranës ka dështuar mbrëmjen e së shtunës. Autorët tentuan të grabisnin një banesë, por fqinjët lajmëruan policinë.
Gazetarja e Klan News Glidona Daci raporton se efektivët që shkuan menjëherë në vendngjarje, u përballën me grabitësit e armatosur, të cilët kanë qenë 3 persona.
Mësoher se gjatë momentit që kanë hyrë në banesë grabitësit, brenda ndodheshin dy të moshuar. Grabitësit u prezantuan si efektivë duke iu shprehur “ulu policia”. Kanë nisur planin e grabitjes dhe nuk ka zgjatur shumë minuta, pasi fqinjët kanë dëgjuar britmat dhe kanë njoftuar policinë.
Ndërkohë, uniformat blu u vunë në ndjekje të një makine Audi ngjyrë e bardhë me targa AA 943 SG që është larguar në drejtim të Liqenit të Thatë. Mësohet se targat janë denoncuar si të vjedhura dhe i përkasin një automjeti tjetër tip Benz. Policia ka ngritur postblloqe në kryeqytet për kapjen e autorëve.
Ekspertët shpresojnë që të gjejnë gjurmë të autorëve në vendngjarje, ndërkohë janë sekuestruar kamerat e sigurisë së banesës për të ndihmuar hetuesit në zbulimin e identitetit të autorëve.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
Më datë 09.12.2023, rreth orës 19:13, në fshatin Prush, përballë ambulancës, në banesën e shtetasit G. H., janë futur disa persona, të armatosur.
Me marrjen e njoftimit shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, dhe në momentin që janë afruar afër banesës, tre personat e armatosur, kanë qëlluar me armë ndaj tyre. Policia është përgjigjur me armë ndaj tyre.
Shërbimet e DVP Tiranë, RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë, po vijojnë krehjen e zonës dhe kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset kryesore dhe hyrje-daljet e Tiranës, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Fraksion.com