Kongresi i PS-së, Spiropali: Shqipëria ka ngut për t’u bërë Evropa në Ballkan
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali deklaroi sot në çelje të Kongresit të jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste se, “Shqipëria ka ngut. Ngut për të jetuar. Ngut për të ndryshuar e ndërtuar. Ngut për t’u përmirësuar e për t’u bërë vendi i duhur për të jetuar e për të punuar”.
“Ngut për t’u bërë Evropa në Ballkan, ngut dhe vullnet për ta parë Ballkanin si shtëpi evropiane. Shqipëria po vrapon për të kapërcyer pengesat dhe vonesat e saj historike. Për të bërë në sa më pak vite atë që vende të tjera e kanë bërë në dhjetëra e qindra vjet, shpesh duke kaluar nëpër rrugë të përgjakshme”, tha Spiropali në fjalën e saj.
“Liria dhe shteti i së drejtës nuk janë akte që realizohen në një ditë natë, as në pak vjet, janë procese që kërkojnë durim, sakrificë dhe vendosmëri, ide hde vizion, përkushtim dhe tolerancë”, theksoi ajo.
“Ne socialistët shqiptarë kemi dëshmuar se dimë të marrim përgjegjësi dhe të jemi përgjegjës për fatet e Shqipërisë. Ky është destini ynë të ciline ka gdhendur në mermer vullneti i përsëritur i qytetarit shqiptar 8 herë në 9 ballafaqime elektorale të njëpasnjëshme nën drejtimin e Edi Ramës”, tha ajo.
Spiropali theksoi se, “Shqipëria po jeton ditë të jashtëzakonshme. Ky Kongres i jashtëzakonshëm i PS-së, është pjesë e përpjekjeve tona për të qenë katalizator të ndryshimit dhe të vetëkorrigjimit. Kongresi është pjesë e përgjigjeve që japim ditë pas dite me shërbesën tonë. Shërbesën për një vend dhe në nëj vend që e dimë si ka qenë, e shohim si është dhe ëndërrojmë sesi do të jetë. Më i zhvilluar, më i respektuar, më i sigurt, më i begatë”.
“Në fjalorin politik të Ballkanit, fjala histori përsëritet shpesh, por ne e dimë mirë se misioni ynë politik është të ndryshojmë si Shqipëria. Organizata jonë politike duhet të ndryshojë edhe më shpejt për të fituar betejën me kohën. Për të triumfuar në mision tonë kombëtar për ta bërë Shqipërinë Evropën e Ballkanit. Për t’u krahasuar jo me çfarë gjetëm, po me çfarë mund të bëjmë ndryshe. Çfarë mund të bëjmë edhe më mirë, edhe më bukur edhe më shpejt”, tha Spiropali.
“Sfida jonë është e ardhmja dhe projektimi i saj i pakthyeshëm si një vend evropian. Në një vend më të mirë qeverisur më të drejtë, më të lirë, një vend të njerëzve të fortë me më shumë mundësi jetese dhe oportunitete në jetë, me standarde me më shumë drejtësi shoqërore, më të arsimuar, më të aftësuar dhe më të shëndetshëm”, shtoi ajo.
Por, nënvizoi Spiropali, “nuk ka asnjë të ardhme të sigurt pa qortimin e së djeshmes dhe shumëçka nis nga e drejta, nga bindja se çdo krim duhet të ketë ndëshkimin e tij. Pak ditë më parë Gjykata e Strasburgut shkroi në gjuhën juridike një vendim për tragjedinë e 21 janarit, pikërisht atë vendim që në gjuhë politike, PS e ka dhënë përmbi një dekadë. Pushkatim pa gjyq të 4 protestuesve paqësorë në Bulevard. Shtet dhe struktura shtetërore të pa hetuara. Gjykim i paplotë i rolit të përfaqësuesve të shtetit të përfshirë në krim. Ky është vendimi i Strasburgut. Një udhërrëfyes juridik i asaj që ne i kemi dhënë përgjigje politike në vite dhe që presim të përkthehet edhe nga sistemi gjyqësor në Shqipëri. Mjaft të shihet qëndrimi i dy poleve politike ndaj drejtësisë për të kuptuar atë diferencë abisale mes nesh dhe atyre. Për të kuptuar se pse ne jemi në punë dhe pse ata janë shndërruar në shkopinj ën rrota për Shqipërinë e punës. Tek ky vendim që vjen nga zemra e Evropës mund të shihni arsyet se pse çeta e tkurrur opozita, garda personale e një njeriu të vetëm s’bën gjë tjetër veçse vjell zjarr e thyen karrige”.
“Reforma në Drejtësi është një nga projektet më madhore që kemi ndërmarrë ai është rishkrimi dhe rikrijimi i parë i një pushtetit të pavarur ashtu siç dikton Kushtetuta, për të krijuar kontrollin dhe ekuilibrin e dy pushteteve të tjera. Është historike ajo që është bërë se drejtësi në Shqipëri, pavarësisht regjimeve, pavarësisht qeverive nuk ka pasur. Filozofia jonë politike është një dhe e pandryshueshme, ne socialistët besojmë se suksesin duhet ta ndajmë me të gjithë, se suksesi është kolektiv, po përgjegjësitë janë individuale. Dhe përgjigjet për çfarë bëhet keq janë po individuale. Ky është dallimi kryesor me kundërshtarët tanë, të cilët me parlamentin sillen si revolucionarë ose si piromanë, ose e bojkotojnë ose e djegin. Dhe një nga shkaqet kryesore pse triumfet tona mbi ta do të shtohen sa herë të ketë ballafaqime elektorale ku ata veç do humbin dhe ne veç do fitojmë, me ju së bashku dhe të gjithë ata që na besojnë, pavarësisht janë apo s’janë anëtarë të PS”, u shpreh Spiropali.
Fraksion.com