Hunter Biden përballet me 9 akuza të reja për shkelje të ligjit të taksave
Nëntë akuza për shkelje të ligjit të taksave u ngritën në Kaliforni ndaj të birit të presidentit Joe Biden, Hunter Biden, ndërsa një hetim i prokurorit të posaçëm mbi marrëdhëniet e biznesit të tij po intensifikohet në sfondin e zgjedhjeve të vitit 2024.
Akuzat e reja të ngritura të enjten, u shtohen akuzave federale për armëmbatje pa leje në Delauerë, sipas të cilave Hunter Biden ka shkelur ligjet kundër armëmbajtjes për përdoruesit e drogës në vitin 2018. Akuzat pasojnë dështimin e një marrëveshjeje këtë verë për pranimin e fajësisë nga ana e tij me prokurorët federalë për taksat dhe akuzat për armëmbajtje pa leje, sipas së cilës ai do të shmangte dënimin me burg. Data e gjyqit për këto akuza ende nuk është caktuar, por ajo mund të përkojë me fushatën presidenciale të babait të tij vitin e ardhshëm.
Hunter Biden “shpenzoi miliona dollarë për një jetesë ekstravagante në vend që të paguante faturat e tij të taksave”, tha në një deklaratë prokurori i posaçëm David Weiss. Akuzat përqendrohen në të paktën 1.4 milionë dollarë në taksa që Hunter Biden nuk i kishte paguar mes viteve 2016 dhe 2019, një periudhë kur ai ka pranuar se po luftonte me problemin e varësisë nga droga. Taksat e prapambetura që atëherë janë paguar.
Nëse shpallet fajtor, Hunter Biden, 53 vjeç, mund të dënohet me 17 vjet burg. Hetimi i prokurorit të posaçëm mbetet i hapur, tha zoti Weiss.
Në një përgjigje të fortë, avokati mbrojtës Abbe Lowell akuzoi prokurorin Weiss për “dorëzim ndaj trysnisë së republikanëve” mbi këtë rast.
“Bazuar në faktet dhe ligjin, nëse Hunter do të kishte mbiemër tjetër, përveç atij Biden, akuzat në Delauerë dhe tani ato në Kaliforni, nuk do të ishin ngritur ndaj tij”, tha avokati Lowell përmes një deklarate.
Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentonte mbi akuzat e ngritura të enjten në Kaliforni, duke thënë se pyetjet për këtë çështje mund t’u drejtohen Departamentit të Drejtësisë ose përfaqësuesve personalë të djalit të Presidentit, Hunter Biden.
Dokumentet e akuzës së dorëzuar në Kaliforni, ku ai jeton, detajojnë shpenzimet për drogë, striptizëm, hotele luksoze dhe makina ekzotike. “Me pak fjalë, gjithçka përveç taksave të tij”, shkroi prokurori Leo Wise.
Aktakuza vjen ndërsa republikanët në Kongres po kryejnë një hetim mbi ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit Biden, duke pretenduar se ai ishte i përfshirë në një skemë për ndikim në këmbim të përfitimeve që kishte në qeverinë amerikane me djalin e tij. Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë javën e ardhshme për të autorizuar zyrtarisht fillimin e hetimit.
Asnjë provë nuk ka dalë deri më tani për të vërtetuar se Joe Biden, në postin aktual ose në postet e mëparshme, ka abuzuar me pozitën e tij ose ka pranuar ryshfet, megjithëse janë ngritur pyetje në lidhje me etikën mbi bizneset jashtë vendit të familjes Biden.
Fraksion.com