AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Kongresi i PS si pleniumet e PPSH

Edi Rama zgjodhi ditën kombëtare të rinisë për të mbledhur kongresin e socialistëve, por Sali Berisha, i cili e konsideron pas pavarësisë së vendit si datën më domethënëse 8 Dhjetorin, nuk nguroi ta krahasojë mbajtjen e forumit më të lartë të socialistëve me atë të pleniumeve të diktatorit Hoxha.

“Sot, Edi Rama mblidhet se mendon se na impresionon. Mblidhet me 8 dhjetor, me mendësinë e të atit të tij dhe dajës së tij xhelat.”

Rilindjen e socialistëve e cilësoi hakmarrje të Edi Ramës ndaj arritjeve të lëvizjes studentore të Dhjetorit 1990, teksa tha se ky përvjetor i 33-të është kushtrim për përmbysjen e asaj që sipas Berishës ka vendosur diktaturën e re të krimit.

“Në 10 vite, ai ia doli të zhbëjë një nga një, arritjet e 8 dhjetorit, ia doli me vendosmëri të vendosë në Shqipëri një narkokraturë, një diktaturë bande. Ky 8 dhjetor është kushtrim për çdo shqiptar që të përmbysim diktaturën e re të krimit e drogës.”

Dhe në betejën për rikthimin e demokracisë thirrjen e drejtoi ndaj atyre që në Dhjetor të 90-ës përmbysën diktaturën.

“Ftoj rininë shqiptare të ngrihet në lartësinë e misionit të ri, sepse një mosbindje e dytë civile apo një revolucion i dytë me mosbindje civile është vendimtar sot për fatin e Shqipërisë.”

8 Dhjetori përkujtohet si festë kombëtare që prej vitit 2009 në nderim të të gjithë studentëve të Dhjetorit 1990 dhe rinisë shqiptare.

 

Fraksion.com