Të varesh financiarisht nga bashkëshorti është tashmë ‘në modë’?
Vitet kalojnë, shoqëria evolon dhe morali i shoqërisë relativisht ndryshon, por një temë që me sa duket është ende e diskutueshme, lidhet pikërisht me rolin e gruas në familje e shoqëri.
E teksa protestat mbeten aktive, shoqatat lobojnë vazhdimisht dhe aktivistët i bërtasin pavarësisë së gruas, ‘Gen Z’ ka të tjera plane.
Brezi i rrjeteve sociale duket se kanë rënë kolektivisht dakord të rikthejnë ‘në modë’ të qenit shtëpiake, duke e konsideruar si detyrë të bashkëshortit mbulimin financiar të të ardhurave në familje.
Teksa balanca dhe ndarja e detyrave në familje është çelësi kryesor për një marrëdhënie të lumtur e të shëndetshme dhe vlerësimi për gratë që i përkushtohen maksimalisht familjes është i padiskutueshëm, ajo që mbetet shqetësuese është promovimi i kësaj zgjidhjeje “të lehtë” tek vajzat e reja.
Sa e shëndetshme është që adoleshenteve t’u mësohet se shembulli perfekt familjar është një grua e varur financiarisht nga burri?
Nëse e gjykojmë hollësisht, dëshira për pavarësi midis grave dhe preferenca për një marrëveshje tradicionale ku burrat marrin përgjegjësi financiare, përfaqësojnë dy këndvështrime të kundërta që pasqyrojnë dinamikën në zhvillim të roleve gjinore.
Ata që përqafojnë role më tradicionale mund të gjejnë stabilitet dhe mbështetje nga një partner, por nga ana tjetër u duhet të rrezikojnë varësinë, rritjen e kufizuar personale dhe cenueshmërinë e mundshme në rast rrethanash të paparashikuara.
Prirja drejt tradicionalizmit përforcon stereotipet gjinore, për të cilat luftohet dita ditës edhe më shumë për t’i stopuar, duke ndikuar në zgjedhjet e tyre të karrierës dhe trajektoret e jetëse të së ardhmes për vajzat e reja. Tendenca e mbështetjes tek burrat për të ardhurat financiare shpesh herë mund të largojë idenë se kontributi financiar është në përpjestim të drejtë me angazhimin dhe punën e palodhur.
Nga ana tjetër, gratë të cilat kanë si synim kryesor dhe aspirojnë për sukses në karrierë, shpesh përjetojnë rezultate pozitive, duke fituar ndjenjën e fuqizimit personal, vetëvlerësimit dhe aftësisë për të bërë zgjedhje të pavarura të jetës. Kjo qasje mundëson nxitjen e elasticitetit, zgjeron mundësitë dhe sfidon rolet tradicionale gjinore, edhe pse kjo zgjedhje çon në rritje të stresit për shkak të aktit balancues midis karrierës dhe jetës personale e familjes.
Megjithatë, mbetet për t’u theksuar se balancimi i modernitetit dhe traditës kërkon një konsiderim të kujdesshëm të vlerave individuale dhe dinamikave shoqërore. Është thelbësore të njihen dhe të respektohen zgjedhjet e ndryshme, ndërkohë që avokohet për një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe të barabartë.
Fraksion.com