AktualitetTë fundit

Privatizimi i ish-fabrikës ‘Buka’, SPAK mbyll hetimet Arben Ahmetajn, dërgon dosjen në GJKKO!

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për dosjen hetimore ndaj Arben Ahmetajt në lidhje me privatizimin e shoqërisë “Buka” sh.a. Ndërkaq, avokatët kanë 10 ditë kohë për të çuar pretendimet e tyre dhe më pas dosja do të shkojë në gjykatë.

HISTORIKU I ANKANDIT

Në Korrik të vitit 1995, një vendim i Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave  (KPPP), i saktësuar nga një vendim gjyqësor i asaj kohe, i ka njohur një familjeje të vjetër tiranase pronësinë në një sipërfaqe 8980 m2 në zonën e “5 Majit”, nga e cila 4890 m2 ishte ndërtesë e fabrikës shtetërore të Bukës. Dy muaj më pas, në Tetor 1995, është regjistruar shoqëria tregtare anonime “Buka” sha, në pronësi absolute të shtetit shqiptar, nëpërmjet Ministrisë së Financave. Pjesë e aseteve të kësaj shoqërie ishte edhe trualli, i cili i ishte njohur familjes tiranase. Në vitin 1996, Ministria e Financave vendosi shitjen e 49 për qind të aksioneve të saj, duke vijuar të ruajë kontrollin mbi shoqërinë “Buka” sha.

Në vitin 2000, Ministria e Financave ka llogaritur kuotat që i takojnë ish-pronarëve në shoqërinë “Buka” sha. Për ish-pronarët e truallit të kësaj shoqërie është akorduar vlera prej 8.8 milionë lekë të reja, që i korrespondon një pakete prej 3.1 përqind të aksioneve.

 

Në vitin 2004, Ministria e Ekonomisë vendos të shesë aksionet e saj në shoqërinë “Buka” sha, në shifrën 47.65 për qind. Trashëgimtarët e truallit kanë kundërshtuar në rrugë gjyqësore, si vlerën e kuotave që u është përcaktuar nga Ministria e Ekonomisë, po ashtu edhe procedurën e ankandit, derisa të sqarohet përfundimisht sasia e aksioneve në “Buka” sha.

Ministria e Ekonomisë anuloi procedurën e ankandit, por për vite me radhë nuk zbatoi pjesën e vendimit për ri-llogaritjen e aksioneve të trashëgimtarëve dhe vlerësimin e tyre. Në vitin 2014, Ministri i Ekonomisë së kohës, Arben Ahmetaj, shpall sërish ankandin për shitjen  e 47.6 përqind të aksioneve shtetërore në “Buka” sha.

Këtu është momenti kur shfaqet biznesmeni Lirim Fezollari. Në shtator 2014, ai fillimisht kishte blerë 15 përqind të aksioneve. Brenda tre muajve, deri në nëntor 2014, Fezollari arrin të blejë 40 përqind të aksioneve nga moria e ortakëve në minorancë (kryesisht ish-punonjës të “Buka” sha).

Pra, në momentin e shpalljes së ankandit, Lirim Fezollari rezultonte efektivisht aksioneri i dytë më i madh i “Buka” sha, pas Ministrisë së Ekonomisë.

Por, kjo situatë e aksionerëve nuk kishte reflektuar vendimin e Gjykatës së Apelit të vitit 2006, e cila kërkonte ri-vlerësimin e kuotave në shoqëri të trashëgimtarëve të truallit, ku gjendeshin godinat e “Buka” sha. Në Shtator 2014, Ahmetaj shpall procedurat e ankandit për shitjen e aksioneve të qeverisë në “Buka” sha., ndërkohë që nuk ishte zbatuar ende vendimi i formës së prerë, të marrë nga i Gjykata e Apelit në vitin 2006, për ri-llogaritjen e kuotave të ish-pronarëve në “Buka” sha. Në Qershor të vitit 2015, Komisioni i Ankandit, i ngritur pranë Ministrisë së Financave, e cila në atë kohë drejtohej nga Shkëlqim Cani, nënshkruar një marrëveshje paraprake me biznesmenin Lirim Fezollari, ku përcaktohen modalitetet e procedurës.

Pra, duket qartë që në ankand nuk janë thirrur trashëgimtarët e ish-pronarit të truallit. Në Gusht 2015, Ministria e Financave shpall biznesmenin Fezollari fitues të ankandit për blerjen e aksioneve (rrjedhimisht edhe aseteve) të shoqërisë anonime “Buka” sha. Ndërkohë që zhvilloheshin këto procedura, trashëgimtarët e ish-pronarit i drejtohen sërish gjykatës, ku kërkohej anulimi i ankandit të shpallur rishtazi, si edhe rivlerësimin e pronës me çmimet e përcaktuara, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2001 dhe akteve pasuese të tij.

 

Fraksion.com