AktualitetPolitikëTë fundit

Përzgjedhja e 3 prokurorëve të SPAK, SHBA dhe BE: Procesi të çojë tek profesionistët më të kualifikuar

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po ndjek nga afër intervistat dhe vlerësimet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për kandidatët prokurorë që aplikojnë për tre vendet e fundit bosh në SPAK.

Në një postim në rrjetet sociale ambasada e SHBA në Tiranë thekson se, Shtetet e Bashkuara presin që ky proces kyç të çojë në përzgjedhjen e prokurorëve më të kualifikuar me nivelet më të larta të guximit, profesionalizmit, integritetit dhe pavarësisë.

Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për ta mbështetur Shqipërinë teksa ajo lufton korrupsionin, forcon institucionet e saj të drejtësisë dhe mbron sundimin e ligjit. SPAK mbetet një pjesë kritike e asaj përpjekjeje.

Gjithashtu edhe Delegacioni i BE reagoi lidhur me përzgjedhjen e prokurorëve të SPAK.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të vijojë ditën e sotme me përzgjedhjen e tre prokurorëve të rinj të SPAK”, thekson delegacioni i BE.

“Kjo do të kontribuojë në forcimin e punës së SPAK-ut, integritetit dhe pavarësisë së tij. Ky institucion kyç duhet të mbështetet tek profesionistët më të mirë të mundshëm për të përmbushur misionin e tij thelbësor”, nënvizon Delegacioni i BE.

 

Fraksion.com