AktualitetKosovaTë fundit

Nuk mori pjesë në varrimin e Liridonës, reagimi i Behgjet Pacolli

Në një reagim në rrjetet sociale, Behgjet Pacolli ka sqaruar edhe një herë përse nuk mundi të ishte i pranishëm në varrimin e 30-vjeçares Liridona Ademaj.

Ai po ashtu ka hedhur poshtë çdo aludim të bërë në bërë në media të ndryshme, që sipas Pacollit “shfrytëzojnë tragjeditë si ajo e Liridonës për të tërhequr vëmendjen” e “që njollosin imazhin dhe reputacionin e të tjerëve vetëm për të përfituar vëmendjen publike”.

“Nga largësia, vërej disa insinuata të individëve me sjellje skizofrenike që shfrytëzojnë tragjeditë si ajo e Liridonës për të tërhequr vëmendjen në platformat mediatike dhe krijuar ndonjë “imazh”. Është kritike të dallohen dhe kundërshtohen deklaratat paqëndrueshme dhe pa fakte të disa “debatuesve” apo “analistëve” që njollosin imazhin dhe reputacionin e të tjerëve vetëm për të përfituar vëmendjen publike. Kjo ndihmon në ngritjen e nivelit të bisedës dhe transparencës së informacionit për publikun, duke theksuar seriozitetin e mediave. Për të sqaruar publikun, po ndjek një rrugë të gjatë dhe të planifikuar prej 6 muajsh, që më ka penguar të marr pjesë në varrim (gjë për të cilën janë kujdesur vëllezërit, familja dhe bashkëpunëtorët e mi)”, shkruan Pacolli.

Në një reagim që bëri mbrëmjen e së martës, Pacolli shpjegoi se nuk mundi të ishte i pranishëm në ceremoninë e rivarrimit të Liridonës, pasi ndodhej në një vizitë në Lindjen e largët.

“Familjes së Liridonës iu desh të kalonte sot një tjetër dhimbje nga rivarrimi i saj në rrethanat tragjike. Mendimet dhe lutjet e mia dhe të familjes sime janë me familjen e Liridonës që duhet të vuajë dhimbjen e një krimi të tmerrshëm dhe me fëmijët e saj që ishin aq shumë të lidhur me nënën e saj dhe nuk ishin të pranishëm sot. Unë nuk munda të marr pjesë sot në ceremoninë e rivarrimit të Liridonës, sepse jam në një vizitë në lindjen e largët, familjarët e bashkëpunëtorët e mi vazhdojnë të qëndrojnë afër familjes së Liridonës dhe pas kthimit kjo vlen edhe për mua. Unë dhe familja ime e kemi njohur  personalisht Liridonën dhe kishim një miqësi të mirë me të, ajo do të jetë gjithmonë në kujtesën tonë. U prehtë në paqe Liridona dhe familja e saj të gjejë forcën për të kapërcyer dhimbjen”.

 

Fraksion.com