AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Nismë e serbëve për zëvendësimin e kryetarëve shqiptarë

Zyrtarë të KQZ-së në Kosovë kanë pranuar disa shkresa ku kërkohet largimi i kryetarëve shqiptarë të katër komunave që banohen me shumicë serbe. KQZ i ka deleguar hartuesit tek kryesuesit e kuvendeve komunale në veri.

Një grup qytetarësh serbë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok në Kosovë kanë thënë se ata kanë tentuar të bëjnë kërkesë për “shkarkimin e kryetarëve aktualë”, të këtyre komunave, por e kanë pasur të pamundur. Njëra nga inicueset e kërkesës Sanja Kërtiniq nga Mitrovica e Veriut, tha për mediet lokale në gjuhën serbe, se askush në komunë nuk ka dashur t’i pranojë dhe të bisedojë me ta. Sipas saj, atyre u është thënë  të drejtohen në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

KQZ: Çështja dërgohet tek kuvendet komunale

Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë konfirmuar se kanë pranuar disa shkresa me kërkesë për largim të kryetarëve shqiptarë të katër komunave që banohen me shumicë  serbe. Kjo u mundëson atyre pas miratimit nga qeveria të një udhëzimi administrativ që përmes peticionit, të kërkojnë shkarkimin e kryetarëve shqiptar në komunat e banuara me shumicë serbe. “KQZ i ka pranuar shkresat, mirëpo, hartuesit e tyre i ka deleguar tek kryesuesit e kuvendeve komunale të komunave përkatëse, si autoritete kompetente për ta trajtuar këtë çështje, sepse, kështu parashihet me aktet nënligjore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, para mikrofonit me kostum blu
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir EleziFotografi: KQZ

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, ka thënë se kjo “iniciativë” e qytetarëve nuk i është dorëzuar atij dhe nuk është në përputhje me udhëzimin administrativ të Qeverisë së Kosovës. “Kjo kërkesë nuk i është dorëzuar kryetarit dhe nuk i është dedikuar kryetarit të Kuvendit, por i dedikohet kryetarit të komunës, me arsyetimin se shërbimet ndaj qytetarëve nuk janë të mira”, thotë Uglanin.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se për të ndërmarrë iniciativë për zëvendësimin e kryetarëve, është përcaktuar qartë në Udhëzimin Administrativ dhe se çdo qytetar apo grup i qytetarëve me të drejtë vote ka të drejtë ta bëjë atë. “Ju njoftojmë se në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk kemi pranuar asnjë njoftim zyrtar në lidhje me këtë nismë nga kryesuesit e kuvendeve komunale të komunave respektive apo anëtarët e grupit iniciues, siç parashihet me këtë Udhëzim Administrativ”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Reagon Serba: Kosova nuk ka interes për shtensionim

Shpjegimet e autoriteteve kosovare nuk po u duken bindëse zyrtarëve të qeverisë së Serbisë. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se “autoritetet e Kosovës kanë treguar se nuk janë të interesuara për ndonjë shtensionim dhe normalizim të situatës në katër komunat në veri të Kosovës”. Ai tha, citojnë mediet serbe se “përfaqësuesit shqiptarë në komunat në veri, kanë refuzuar të pranojnë një iniciativë qytetare, të arsyetuar, për largimin e kryetarëve të rremë dhe jolegjitimë”.

Pamje nga Mitrovica
Pamje nga MitrovicaFotografi: Vjosa Cerkini/DW

Udhëzimi Administrativ si rrugë për largimin e kryetarëve të komunave

Kryetarët shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe u zgjodhën në zgjedhjet e 19 prillit të këtij viti, pasi serbët lokal bojkotuan zgjedhjet. Kryetarët shqiptar u vendosën në objektet komunale në veri, në fund të muajit maj nën përcjellje të policisë, dhe kjo nxiti protesta në shkallë të gjerë që u shkallëzuan edhe në përleshje ndërmjet protestuesve dhe forcave të KFOR-it. Serbët nuk i pranojnë kryetarët shqiptarë dhe pas protestave të shumta dhe kërkesës së faktorit ndërkombëtar për mbajtje të zgjedhjeve të reja në atë pjesë, qeveria e Kosovës nxori një Udhëzim Administrativ, që parasheh procedurën se si mund të largohet një kryetar nga komuna.

Udhëzimi administrativ i parasheh këta hapa: Kërkesa duhet të bëhet nga i ashtuquajturi grup nismëtar, i cili përbëhet nga tre apo më shumë persona me të drejtë vote në komunën përkatëse. Ky grup e njofton kryesuesin e kuvendit komunal për kërkesën në fjalë, dhe pajisjet me dokumentacionin e nevojshëm. Më pas, grupit i duhet të mbledhë një minimum prej 20 për qind të nënshkrimeve të qytetarëve me të drejtë vote, me kërkesë për largim të kryetarit. Lista me nënshkrime i duhet dërguar kryesuesit të kuvendit komunal, e cila më vonë dërgohet në Komisionin Qendror Zgjedhor. Nëse KQZ-ja si autoriteti kryesor i zgjedhjeve  vlerëson se kushtet janë përmbushur, atëherë organizohen zgjedhje të reja për largimin e kryetarit. Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, zgjedhjet e parakohshme për kryetarë komune mund të mbahen, nëse  kryetari aktual jep dorëheqje, nëse qytetarët kërkojnë shkarkimin e tij përmes peticionit, dhe nëse kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye./DW

 

Fraksion.com