“Kundër lojërave të fatit”: 116 të arrestuar në gjithë vendin, 89 në hetim
Një operacion kombëtar kundër lojërave të fatit ka vënë në pranga mbrëmjen e djeshme 116 persona, ndërsa janë proceduar 89 të tjerë.
Përmes një konference për mediet në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka dhënë detaje nga operacioni. Sipas Rrumbullakut, “operacioni “Sundimi i ligjit” për parandalimin dhe goditjen e rasteve të lojërave të fatit është zhvilluar në dy faza; 25 me 30 nëntor dhe 1 me 6 dhjetor, gjatë të cilave u kontrolluan 1078 lokale dhe ambiente të tjera ku dyshohej se organizoheshin lojëra fati, nga të cilat në 253 u konstatuan paligjshmëri në këtë fushë, dhe gjithashtu u kontrolluan 1895 shtetas.”
“Si rezultat i këtyre kontrolleve, u evidentuan dhe u goditën 181 raste, për të cilat u proceduan penalisht 210 shtetas, nga të cilët: 116 shtetas u arrestuan në flagrancë, 89 shtetas u proceduan në gjendje të lirë, si dhe vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të tjerë. Vetëm gjatë mbrëmjes së djeshme, janë arrestuar 102 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 68 të tjerë.
Gjatë kontrolleve, u sekuestruan: 4 tavolina për lojen Poker, me valixhe me çipsa dhe me letra bixhozi, 184 celularë, 25 njesi kompjuterike, zara, 174 000 lekë, 20 434 euro dhe 11 360 paund që i shërbenin lojërave të fatit, si dhe sasi cannabisi, municion luftarak, 1 pistoletë pneumatike, 1 mjet prerës (thikë) dhe 1 automjet”– tha Rrumbullaku.
Drejtori i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku ka garantuar se “Policia e Shtetit është e vendosur për të çuar më tej procesin e vetëpastrimit, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, me qëllim krijimin e një trupe policore me integritet të lartë moral dhe profesional, e cila do të sjellë rritje të besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit dhe rrjedhimisht rezultate më të mira për parandalimin dhe goditjen e krimit.”
Fraksion.com