Në hetim për abuzim me tenderat e naftës, prefekti Granit Gjana dha mbrëmë dorëheqjen
Granit Gjana ka dhënë mbrëmë dorëheqjen pasi është njohur me vendimin e GJKKO-së.
Granit Gjana akuzohet për shkelje të barazisë në tenderat për blerje karburanti gjatë kohës që mbante postin e zëvendës kryetarit të bashkisë së Kukësit.
Prefekti i Kukësit Granit Gjana është pezulluar nga detyra me vendim të gjykatës së Posaçme pasi po hetohet nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera. SPAK njoftoi se ka kryer hetime paraprake në kuadër të procedimit penal nr.133 të vitit 2023, dhe nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se Granit Gjana, në cilësinë e zv/kryetarit, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, ka konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Pasi është vënë në dijeni të vendimit të gjykatës, Granit Gjana ka dhënë dorëheqjen nga detyra e prefektit Kukës mbrëmjen e të martës. Sipas SPAK, ky shtetas me mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “Ufo Cengu” sh.p.k, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar kompaninë të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21 milionë lekë të organizuara nga Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023. SPAK thotë se si pasojë e këtyre veprimeve janë dëmtuar interesat e ligjshëm të kompanisë “Ufo Cengu” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit për blerjen e karburantit.
“Nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi nën hetim G. Gj., në cilësinë e zv/kryetarit të Bashkisë Kukës, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, ka konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 i K.Penal. Ky shtetas me mosveprimet e tij, e konkretisht mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “U. C” shpk, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar OE-në të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.0000 lekë, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023. Për pasojë shtetasi nën hetim G. Gj. ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “U. C.” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm”, njofton SPAK.
Fraksion.com