Manja: Marrëveshja me Italinë për migrantët ka kaluar gjithë filtrat kushtetues
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja u shpreh sot se marrëveshja me Italinë për migrantët i ka kaluar të gjitha filtrat ligjorë e kushtetues.
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Manja iu përgjigj pyetjes së gazetarëve pas depozitimit në Gjykatën Kushtetuese të kërkesës së një grupi deputetësh të opozitës për shfuqizimin e kësaj marrëveshjeje.
Manja bëri të ditur se ndërkohë marrëveshja është miratuar nga qeveria italiane.
“Janë bërë publike edhe arsyet e nënshkrimit të kësaj marrëveshje apo qëndrimi ynë dhe i qeverisë shqiptare në lidhje me këtë marrëveshje. Është e drejtë e gjithkujt, edhe e opozitës, edhe e deputetëve, ta çojnë këtë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese, por nuk ka se si të jetë antikushtetuese një marrëveshje e cila ka kaluar të gjitha filtrat përpara nënshkrimit me palën italiane”, u shpreh Manja.
“Nuk e di nëse Gjykata Kushtetuese do ta marrë në shqyrtim ose jo, por kjo marrëveshje sa i takon përputhshmërisë me Kushtetutën dhe ligjin i ka kaluar të gjitha filtrat përpara se të nënshkruhet nga dy kryeministrat, Rama dhe Meloni”, shtoi ai.
I pyetur mbi pretendimet e kryetarit të grupit të Rithemelimit në PD, Sali Berisha, sipas së cilit Manja po pengon betimin e Belerit, Ministri i Drejtësisë u shpreh se për këtë çështje ka një vendim të Gjykatës së Lartë.
“Ka kohë që nuk e marr seriozisht Berishën, sepse ka kohë që ka humbur sensin e kohës dhe realitetit. Qëndrimi ynë është konstant. Çështja Beleri i takon drejtësisë. Sa i takon çështjes së betimit duhet të njiheni me vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë që ka zgjidhur çështjen e konfliktit të kompetencës mes Gjykatës së Durrësit dhe asaj të GJKKO-së lidhur me shqyrtimin e kërkesës së Belerit për dhënien e lejes së veçantë për betim. Në pikën 55 të vendimit të Gjykatës së Lartë është dhe arsyetimi i saktë që ka të bëjë me qëndrimin ligjor që ka mbajtur Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve”, shtoi ai.
Fraksion.com