Deputetë të opozitës nuk lejojnë zhvillimin e mbledhjes, Komisioni i Sigurisë do vijojë online
Një grup deputetësh të opozitës kanë bllokuar punimet në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, ku është dërguar për diskutim marrëveshja për emigrantët e nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane.
I parashikuar të nisë në orën 11:00, Komisioni për Sigurinë Kombëtare nuk nisi punimet e tij, por me vendim të kryetarit të Komisionit Nasip Naço, mbledhja do të vijojë online në ora 12:00.
Anëtarët e opozitës në komisionin për Sigurinë Kombëtare bllokuan vendin ku ulet kryetari i Komisionit, si dhe pozicionin ku ulet i ftuari në seancat dëgjimore, duke mos lejuar vijimin e seancës.
I ftuar në Komisionin e Sigurisë ishte ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili do të njihte anëtarët e Komisionit të Sigurisë me marrëveshjen e nënshkruar me Italinë për çështjen e migrantëve.
Kryetari i Rithemelimit në PD, ish-kryeministri Sali Berisha, në një komunikim me gazetarët nga kryesia e Kuvendit komentoi bllokimin duke theksuar se vijon mosbindja civile në Kuvend.
Fraksion.com