AktualitetBota+Të fundit

Izraeli zgjeron ofensivën në Gazën jugore

Forcat izraelite intensifikuan të martën ofensivën kundër militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës, duke u përqëndruar gjithnjë e më shumë në pjesën jugore të rajonit.

Organizatat ndërkombëtare të ndihmave kanë shprehur shqetësimin se në Gazë nuk ka më vende të sigurta për civilët.

Tanket dhe trupat izraelite u zhvendosën pranë qytetit të dytë më të madh të rajonit, Khan Younis, ndërsa forcat ajrore goditën pjesën jugore të tij.

Ditët e fundit ushtria izraelite i ka bërë thirrje popullatës të largohet nga pjesë të ndryshme të qytetit, duke i orientuar ata drejt zonave më në jug.

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare thotë se rreth 1.8 milionë njerëz janë zhvendosur brenda Gazës, ndërsa sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, rreth 1 milion njerëz janë strehuar në objektet e saj në pjesën jugore të Gazës.

Në fazat e hershme të luftës një numër i madh palestinezësh u larguan nga pjesa veriore e Gazës për në jug, ndërsa Izraeli e përqendroi fushatën e tij kundër Hamasit, në zona të tilla si qyteti i Gazës.

Në një deklaratë të hënën të koordinatores humanitare për territorin e pushtuar palestinez, Lynn Hastings, thuhej se në rajon hapësirat për kryerjen e punës humanitare “po zvogëloheshin vazhdimisht” dhe se sasia e ndihmës që mbërrin në Gazë është “tërësisht e pamjaftueshme”.

Asnjë vend nuk është i sigurt në Gazë dhe nuk ka asnjë vend ku mund të shkohet”, tha zonja Hastings. “Kushtet e nevojshme për të ofruar ndihma për popullin e Gazës nuk ekzistojnë. Gjasat janë të shpaloset një skenar edhe më i tmerrshëm, në të cilin operacionet humanitare mund të mos jenë në gjendje të kryen”.

Ndërsa vizitoi Gazën të hënën, Mirjana Spoljariç, presidente e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, bëri një vlerësim të zymtë mbi gjendjen në të cilën ndodhen palestinezët në territor.

Niveli i vuajtjes njerëzore është i patolerueshëm“, tha ajo në një deklaratë. “Është e papranueshme që civilët të mos kenë një vend të sigurt në Gazë dhe me një rrethim ushtarak në fuqi mungon ndihma e nevojshme humanitare”.

Izraeli e ka akuzuar Hamasin se ka përdorur spitalet si dhe zona të tjera civile si pika për të kryer operacionet e veta. Po kështu sipas autoriteteve izraelite, grupi militant ka inkurajuar popullatën civile të shpërfillë paralajmërimet për evakuim përpara sulmeve ajrore, duke i përdorur ata si mburoja njerëzore. Hamasi e ka hedhur poshtë një akuzë të tillë.

Izraeli synon që me fushatën e tij ushtarake t’i japë fund sundimit të Hamasit në Gazë. Luftimet nisën pas sulmit të grupit militant ndaj Izraelit më 7 tetor, gjatë të cilit Hamasi vrau 1,200 persona, ndërsa rreth 240 të tjerë u morën peng.

Deri tani rreth grupi militant ka kthyer 100 pengje dhe në shkëmbim Izraeli ka liruar qindra të burgosur palestinezë.

Prej fillimit të konfliktit rreth 15,890 persona janë vrarë në Gazë, 70% e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas ministrisë së Shëndetësisë që drejtohet nga Hamasi./VOA

 

Fraksion.com