AktualitetBota+Të fundit

Debati i fundit presidencial i republikanëve para zgjedhjeve paraprake

Vetëm katër kandidatë i kanë plotësuar kushtet për të marrë pjesë në debatin e fundit presidencial të republikanëve këtë viti, i cili mbahet të mërkurën. Audienca do të ketë mundësinë të dëgjojë më shumë nga secili kandidat para zgjedhje paraprake në fillim të vitit 2024.

Në debatin e fundit morën pjesë pesë kandidatë presidencialë. Për shkak të rregullave më të forta të kualifikimit, në debatin e fundit të këtij viti do të marrin pjesë vetëm 4 kandidatë. Ata do të kenë dy qëllime të rëndësishme, të dalin më mirë se pjesëmarrësit e tjerë në debat dhe të theksojnë dallimin mes tyre dhe ish Presidentit Donald Trump. Ish guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christy është një nga kritikët më të mëdhenj të ish Presidentit Trump, por edhe kandidatët e tjerë nuk kanë kursyer në kritika ndaj udhëheqësit të garës së republikanëve.

“Mendoj se një nga vështirësitë e kësaj fushate ka qenë identifikimi i çështjeve që tërheqin vëmendjen e krahut anti-Trump brenda partisë, ose të atyre që kanë votuar për zotin Trump, sepse ai ishte kandidat i partisë republikane, por që tani janë të hapur për mundësinë e votimit për një kandidat tjetër, veçanërisht nëse pozitat e zotit Trump vazhdojnë të dobësohen për shkak të problemeve ligjore”, thotë Andra Gillespie nga Universiteti Emory.

Pavarësisht problemeve ligjore, që përfshijnë 91 akuzave kriminale, sondazhet tregojnë se zoti Trump ka një epërsi të madhe ndaj rivalëve të tij republikanë.

Sondazhet e javës së kaluar tregojnë se zoti Trump udhëheq garën e republikanëve me 60 për qind mbështetje, i pasuar nga guvernatori i Floridës Ron DeSantis me 11 për qind dhe ish ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley me 10 për qind. Zoti Trump nuk do të marrë pjesë as në debatin e katërt të republikanëve.

Një çështje e re që pritet të diskutohet në këtë debat është lirimi i pengjeve dhe lufta mes Hamasit dhe Izraelit.

Kandidatët janë në një linjë me qëndrimin e partisë republikane në mbështetje të Izraelit.

Por, ata do të përpiqen të fajësojnë Presidentin demokrat Joe Biden për mos angazhim në negociata për lirimin e më shumë pengjeve amerikane. Ata gjithashtu mund të kenë dallime mbi taktikat e luftës.

“Mendoj se do të diskutohet çështja e armëpushimit apo nëse duhet të ketë një vazhdim të armëpushimit në shkëmbim të lirimit të më shumë pengjeve. Nëse kjo nuk është e suksesshme, atëherë ata duhet të lejojnë vazhdimin e operacioneve ushtarake në Gazë, duke rrezikuar mundësinë e lirimit të pengjeve. Pra do të diskutohet mbi taktika të këqija që do të mund të nxirrnin rezultatin më të mirë”, thotë Aaron Kall nga Universiteti i Miçiganit.

Kandidatët do të debatojnë për dy orë para votuesve republikan të mërkurën në mbrëmje, ndërsa zgjedhjet e para paraprake do të mbahen pas gjashtë javësh./vos

 

Graksion.com