AktualitetTë fundit

Baza në Fushë Kuqe furnizonte grupet kriminale për të kryer vrasje dhe vjedhje, në pranga një 40-vjeçar

Një 40-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në fshatin Gorre të Fushë Kuqes, pasia banesën e kishte kthyer në bazë furnizimi për grupet kriminale.

Gjatë kontrolleve në brendësi dhe përreth banesës së vjetër në pronësi të Aleks Lulashit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një automjet tip “Mazda” i dëmtuar; 5 motomjete me fuqi të lartë motorike të dyshuara të vjedhura;  4 palë targa, për automjete dhe motomjete, të cilat dyshohet se janë vjedhur në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe në Kosovë; 400 gramë lëndë e dyshuar eksplozive, me fitil zjarrpërcjellës e gatshme për shpërthim: kapuçë si maska, doreza dhe skafanda motomjetesh, veshje për kamuflazh, si dhe një sërë sendesh të tjera që do t’i shërbenin grupeve kriminale gjatë kryerjes së ngjarjeve të rënda kriminale.

Sipas policisë, mbi 40-vjeçarin rëndojnë veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, “Trafikim i mjeteve motorike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.

Po punohet për arrestimin e personave që bashkëpunonin me të arrestuarin, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.

Fushë Kuqja është kthyer në bazë të disa grupeve krimninale në vend, ndërsa kujtojmë se në gusht të këtij viti policia goditi një grup kriminal që trafikonte kokainë dhe heroinë nëpërmjet detit. Gjatë këtij operacioni gjashtë persona ranë në pranga, ndërsa u bllokuan katër gomone.

Ndërsa në dhjetor të 2022-shitgjatë kontrolleve të befasishme në banesën e Ervis Martinajt dhe të familjarëve të tij në Fushë Kuqe nga FNSH-ja dhe RENEA, u gjetën të fshehura në koshered e bletëve armë, uniforma policie, radio policie dhe predha.

 

Fraksion.com