Hodhi tymuese dhe u përplas me Gardën, Noka përjashtohet nga seanca!
Një tjetër situatë e paprecedentë është formuar këtë të hënë në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa deputetët opozitar vijonë mosbindjen civile, duke ndezur tymuese, flakadanë dhe vënë flakën objekteve në sallën e parlamentit.
Që në nisje te seancës plenare, deputetët e Rithemelimit kanë shkuar herët në Kuvend dhe kanë mbledhur karriget grumbull në foltore dhe ndezën një tymuese për bllokimin e seancës plenare ku do të diskutoheshin problemet e qytetarëve pas javës së gjelbër.
Flamur Noka ka shkuar tek foltorja e Parlamentit duke tundur një flakadan në dorë, për të shkaktuar kaos ndërsa kolegët deputet të mazhorancës po mbanin fjalën sipas minutazhit të përcaktuar nga sekretariati i Kuvendit. Një gardist ka ndërhyrë për t’i hequr flakadanin nga dora përpara shkaktimit të ndonjë incidenti, por deputeti opozitar i është kthyer në mënyrë agresive duke u përplasur fizikisht.
Situata e paprecedentë ka detyruar kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla që, pasi i tërhoqi vëmendjen disa herë, të merrte masa më të rënda duke i komunikuar përjashtimin nga seanca e sotme plenare.
“Zoti Noka, jeni i përjashtuar nga seanca e sotme parlamentare”– tha Nikolla.
Mirëpo, kjo nuk e ka ndalur deputetin, i cili ka vijuar përpjekjet për të sabotuar punën e Kuvendit, duke ndezur letra në flakë dhe ngritur ato në ajër. Situata e përshkallëzuar ka detyruar gardën të ndërhyjë, por Noka ka vijuar djegien e letrave deri në momentin që një prej tyre e ka lëshuar në pirgun e karrigeve me qëllim djegien e tyre.
Një incident i përsëritur tanimë, pasi herën e fundit, gjatë protestës së tyre me flakadanë dhe tymuese në Kuvend, deputetët e opozitës dogjën aksidentalisht tavolinën e Bashës. Menjëherë, Garda është përpjekur t’i japë fund marrëzisë duke shuar flakët, ndërsa Nikolla ka ndërhyrë duke i dhënë fund seancës së sotme parlamentare.
Fraksion.com