AktualitetPolitikëTë fundit

111-vjetori i Forcave të Armatosura, Begaj: Me sukses mbajnë lart flamurin dhe emrin e Shqipërisë

Presidenti Bajram Begaj ka uruar sot Forcat e Armatosura të Shqipërisë për 111-vjetorin e themelimit.

Në një mesazh në facebook, Begaj shprehet se Forcat e Armatosura janë krenari kombëtare që kanë arritur me sukses të mbajnë lart flamurin dhe emrin e Shqipërisë.

Presidenti vlerësoi angazhimin e tyre në një sërë misionesh dhe operacionesh për paqen dhe sigurinë në vend, rajon dhe në botë, si dhe përmbushjen e detyrave me dinjitet, përkushtim dhe profesionalizëm.

Kreu i shtetit në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura u shpreh gjithashtu se angazhimi i ushtarakëve ndaj Atdheut, Nderit dhe Detyrës mbetet i shenjtë dhe mbështetja e shoqërisë për Forcat e Armatosura do jetë e pakursyer.

“Në këtë ditëlindje të 111-të të tyre ne përulemi, nderojmë dhe jemi mirënjohës për shërbimin, kontributin dhe sakrificat e të gjithë efektivëve që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në Forcat e Armatosura”, shkruan Presidenti Begaj në këtë përvjetor të themelimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Më 4 Dhjetor 1912, vetëm 6 ditë pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u krijua Ushtria Kombëtare. Për herë të parë në historinë shekullore të vendit, u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, (Ministria e Luftës) e drejtuar nga Mehmet Dralla (Tetova), ndërsa Shtabi i Përgjithshëm u krijua më 4 maj 1913 nën drejtimin e major Ali Shefqet Shkupi.

Proceset integruese të FA të nisura në vitin 1992, ku në qershor Shqipëria aplikon dhe pranohet zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC) dhe në mars të 1993 për herë të parë Shqipërinë e viziton Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Manfred Verner, dhe në maj 1993, Shqipëria pranohet anëtare e Asamblesë së Atlantikut të Veriut.

Më 9 Qershor 1995, Shqipëria u përfshi zyrtarisht në procesin e Planifikimit dhe Rishikimit të Partneritetit për Paqe (PARP), proces i cili krijoi kushte për të përfituar dhe aplikuar eksperiencën e NATO në fushën e planifikimit të Mbrojtjes.

Në mars 1998, Aleanca shndërrohet në një nga pikat kryesore të fokusimit dhe koordinimit të përpjekjeve politike-ushtarake të bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës kosovare duke përfshirë edhe opsionin e përdorimit të forcës, ku pala shqiptare u paraqiti vendeve të NATO shqetësimet dhe qëndrimet e saj pas përkeqësimit të situatës në Kosovë.

Në vitin 1999, gjatë krizës së Kosovës, Shqipëria ofroi lehtësirat e saj aeroportuale në ndihmë të operacionit të NATO në Kosovë dhe mund të thuhet pa mëdyshje se Shqipëria de facto reagonte e vepronte sikur të ishte një vend anëtar i NATO.

Pas Samitit të Washingtonit 23-24 prill 1999, Shqipëria së bashku me 8 vende të tjera (me vonë dhe Kroacia) u pranua si vend aspirant për anëtarësim në NATO.

Në nëntor 1999, Shqipëria paraqiti për herë të parë Planin e Veprimit për Anëtarësim (MAP).

Në gusht 2002, Shqipëria dërgoi misionin e parë në Afganistan, misioni ISAF, 23 veta nga regjimenti komando, ndërsa në vitin 2003, Shqipëria dërgoi misionin e saj të parë në Irak, një kompani komando.

Marrja e ftesës së anëtarësimit në NATO (në Samitin e Bukureshtit 2 prill 2008) dhe anëtarësimi me të drejta të plota në Samitin e Strasburg&Kehl, 2 prill 2009, finalizoi ato përpjekje dhe atë aspiratë mbarëshqiptare për anëtarësim në NATO.

Në kuadër të angazhimeve politike të Republikës së Shqipërisë, Forcat e Armatosura janë angazhuar dhe marrin pjesë aktive në operacione ndërkombëtare, në misione të ndryshme jashtë vendit, si pjesë e pandarë e operacioneve të drejtuara nga NATO, BE, OKB dhe koalicionet e përbashkëta të partnerëve tanë strategjike.

 

Fraksion.com