Shorti i Euro 2024, shqiptarët mbushin hyrjen në Hamburg! Fevziu tregon çfarë po ndodh
Gazetari Blendi Fevziu ndodhet këtë të shtunë në Hamburg të Gjermanisë, aty ku në orën 18:00 hidhet shorti i Euro 2024. Në një lidhje direkte me Klan News, Fevziu u shpreh i emocionuar dhe rrëfeu se jashtë godinës ku hidhet ky shorte, pjesa më e madhe janë shqiptarë.
“Emocionuese si çdo event të madh. Por më emocionuese ishte që në momentin e hyrjes, ku ishte mbledhur publik, spektatorë, që kishin ardhur për të përshëndetur delegacionet, pjesa më e madhe ishin shqiptarë dhe filluan të thërrisnin emrin e Shqipërisë. Ishte një gjë shumë impresionuese që shqiptarët dominonin pjesën e spektatorëve, të gjithë shortit europian që do të hidhet, flas për pjesën paraprake të hyrjes, pra në pjesën e jashtme. Ndërkohë që atmosfera brenda është interesante, por është më e qetë. Sepse secila nga palët është e sigurt për një gjë, në këtë short nuk ka ekipe të vogla, të dobëta dhe të mëdha. Të gjithë ekipet po presin të shohin fatin e tyre, vendin ku do vendosen dhe kundërshtarët padyshim. Kështu që në njëfarë mënyre sot merr udhë kampionati europian, ose finalet e kampionatit europian të Euro 2024”, tha Fevziu drejtpërdrejtë nga Hamburgu.
Sot në Hamburg do të vendosen kundërshtarët e Shqipërisë në finalet e Euro 2024 dhe shortin do ta ndiqni prej orës 18:00 direkt në Tv Klan. Kombëtarja ndodhet në vazon e dytë pas paraqitjes së mirë në fazën kualifikuese ku e mbylli e para në grup me 15 pikë. Kuqezinjtë mund të përballen me një short të fortë, duke parë përfaqësueset edhe në vazot më poshtë.
Nëse i referohemi renditjes së FIFA-s grupi më i fortë për Shqipërinë mund të jetë ai i përbërë nga Franca, Holanda dhe Italia, të gjitha skuadra që janë pjesë e 10 më të mirave në botë. Ndërsa më i favorshmi gjithmonë duke parë klasifikimin në FIFA mund të jetë Gjermani, Slloveni dhe ekipi që do ta dalë nga play-off C. Ky do të jetë përfaqësimi i dytë i Shqipërisë në Europian pas atij të vitit 2016, ku mori një fitore dhe e mbylli në vendin e tretë.
Kësaj here do të synohet më shumë duke pretenduar që të paktën të kalohet grupi. Gjithsesi kjo do të qartësohet kur të vendosen kundërshtarët e aktivitetit që do të mbahet prej 14 Qershorit deri në 14 Korrik në Gjermani, me Tv Klan që do të transmetojë jo vetëm Kombëtaren e Sylvinho, por 31 ndeshjet më të forta pa pagesë për territorin e Shqipërisë./tvklan.al
Fraksion.com